Ndryshime në Kadastrën e Vlorës, Albion Koçi largohet nga drejtimi
Emërohet inxhinieri Andi Muhametaj
Drejtoria Rajonale e Kadastrës së Vlorës ka ndryshuar drejtuesin, në një moment kur institucioni përballet me problematika të vazhdueshme sa i takon regjistrimit të pronave, mbivendosjeve dhe konflikteve të krijuara ndër vite.
Në vend të Albion Koçit është emëruar Andi Muhametaj, një inxhinier që më herët ka mbajtur detyrën e drejtorit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në strukturat qendrore, konkretisht në sektorin që mbulon zonat e stimuluara.
Burime pranë ASHK-së bëjnë me dije se vlerësimi për punën e tij dhe eksperienca profesionale kanë qenë ndër faktorët që kanë çuar në emërimin e Muhametajt në krye të një prej drejtorive më delikate të Kadastrës në vend.
Ndryshimi i drejtimit vjen në një periudhë kur problematikat me pronësinë në qarkun e Vlorës janë shtuar, veçanërisht për shkak të mbivendosjeve dhe rasteve kur dokumentacioni i pronave nuk përputhet me situatën faktike në terren.
Në këtë kuadër, pritet që fokusi i drejtimit të ri të jetë zhvendosja nga një qasje thjesht dokumentare drejt verifikimit praktik të pronave. Synimi është që regjistrimet të mos mbështeten vetëm te dokumentet e paraqitura, por të shoqërohen edhe me verifikime dhe matje konkrete në terren.
Prej kohësh, problematikat e pronësisë në Vlorë janë shoqëruar me pretendime për parcela të mbivendosura, regjistrime të përsëritura dhe konflikte mbi kufijtë e pronave. Kjo situatë ka krijuar jo pak paqartësi për qytetarët dhe pronarët që kërkojnë të formalizojnë pasuritë e tyre.
Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka angazhuar grupe pune nga Tirana për të kryer matje në zonat bregdetare të qarkut. Ekipet po kryejnë verifikime në terren, përfshirë kontrolle derë më derë, ndërsa të dhënat e mbledhura pritet të përpunohen dhe të hidhen në hartat përkatëse.
Pikërisht verifikimi në terren dhe hartografimi i saktë pritet të jenë ndër prioritetet kryesore të drejtimit të ri të Kadastrës së Vlorës. Qëllimi është që të identifikohen pronat problematike dhe të shmangen interpretimet e ndryshme mbi kufijtë dhe sipërfaqet e pasurive.
Një tjetër problem që ka shoqëruar ndër vite administrimin e pronave në qark është edhe pretendimi për përvetësimin apo regjistrimin e sipërfaqeve që kanë qenë objekt konfliktesh pronësie. Në disa raste, problematikat kanë prekur edhe zona ranore apo territore pranë bregdetit, lumenjve dhe përrenjve, ku statusi i tokës është kthyer në burim konfliktesh të vazhdueshme.
Me emërimin e Andi Muhametajt, pritshmëria është që procesi i verifikimit të pronave problematike të kalojë në një fazë më teknike, ku matjet në terren dhe përputhja e tyre me dokumentacionin të shërbejnë si bazë për korrigjimin e situatave të krijuara ndër vite.
Në fokus pritet të jenë veçanërisht pronat me mbivendosje, zonat bregdetare dhe pasuritë për të cilat ekzistojnë mospërputhje mes dokumenteve të regjistrimit dhe gjendjes faktike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



