Revolta e studentëve, gjimnazistët e Korçës braktisin mësimin
Protesta e nxënësve dhe studentëve kundër qeverisë po merr përmasa të reja, duke u shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit. Pas gjimnazistëve të Kamzës, të cilët nisën bojkotin e mësimit që në orët e para të mëngjesit, edhe nxënësit e shkollave të mesme në Korçë kanë braktisur klasat dhe kanë dalë në rrugët e qytetit.
Ndonëse tubimi në Korçë ishte njoftuar të niste në orën 11:00, gjimnazistët kanë vendosur të largohen më herët nga ambientet shkollore për t’iu bashkuar protestës.
Sipas pretendimeve të nxënësve, ky vendim u mor nga frika se mësuesit mund të mbyllnin dyert e shkollave gjatë pushimit të madh. Kjo frikë i ka shtyrë ata të dalin në rrugë përpara orarit të parashikuar.
Nxënësit e Kamëzës nisin bojkotin
Në Kamëz, nxënësit ishin të parët që nisën bojkotin e mësimit këtë të enjte. Me flamuj në duar dhe thirrjen “Të gjithë së bashku!”, ata dolën në rrugë dhe u bënë thirrje bashkëmoshatarëve të tjerë që t’i bashkohen mobilizimit.
Protesta zgjerohet në Korçë
Përfshirja e gjimnazistëve të Korçës shënon zgjerimin e protestës përtej Tiranës. Ndërsa reagimi i të rinjve vijon të marrë formë edhe jashtë kryeqytetit.
Protestat e mëparshme në Tiranë
Lëvizja vjen dy ditë pas protestave në Tiranë, ku nxënës të shkollave të mesme dhe studentë bojkotuan mësimin për t’iu bashkuar tubimeve kundër qeverisë.
Protestat e kësaj të enjteje sinjalizojnë vijimin e mobilizimit të të rinjve. Ndërkohë, pritet të shihet nëse bojkotit do t’i bashkohen edhe shkolla të tjera në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



