E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Revolta e studentëve, Policia humbi kontrollin e territorit
Lajme

Revolta e studentëve, Policia humbi kontrollin e territorit

Përshkallëzimi i protestave studentore dhe qytetare për të tretën ditë radhazi në Tiranë dhe përhapja e tyre në disa qytete të tjera të vendit ka qenë i shoqëruar me përplasje të ashpra fizike, përdorim masiv të gazit lotsjellës dhe ujit me presion. Ka pasur gjithashtu sulme, zjarrvënie e plaçkitje ndaj institucioneve publike dhe bizneseve private. Të gjitha këto kanë ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e Policisë së Shtetit për të menaxhuar situatën e krijuar.

Vlerësime për reagimin e policisë

Ekspertë të sigurisë, studiues dhe ish-drejtues të lartë të policisë vlerësojnë se reagimi i uniformave blu ka shfaqur mangësi të theksuara operacionale. Këto mangësi shtrihen nga dhuna individuale jashtë protokolleve, te tërheqja dhe lënia e qendrës së kryeqytetit pa kontroll gjatë natës së dytë, e deri te ndjekja agresive me gaz lotsjellës në zonat e banuara në ditën e tretë. Ndërkohë, drejtuesit aktualë këmbëngulin se strukturat po veprojnë brenda ligjit përballë një agresiviteti ekstrem.

“Sjellja e Policisë së Shtetit është e çuditshme. Nuk di të them nëse kanë urdhër apo jo, por mënyra si po menaxhohet situata është problematike,” tha Gledis Nano, ekspert sigurie dhe ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i mbrojti veprimet e vartësve të tij në një bisedë telefonike me BIRN duke deklaruar se po ndiqen procedurat standarde, se “nuk ka një të mesme të artë në këto situata”. Ndërkohë në konferencë shtypi ai paralajmëroi se policia nuk do të tërhiqet. “Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë”, tha ai.

 

 

Bilanci i 72 orëve të revoltës

Bilanci i 72 orëve të revoltës

Vala e protestave që ka përfshirë vendin që prej së martës erdhi pas më shumë se katër muajsh tubimesh të pandërprera paqësore që kërkonin largimin e qeverisë, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”. Ato u nxitën fillimisht në fund të majit nga kundërshtimi ndaj projekteve turistike në Zvërnec.

Këtë javë, megjithatë, protesta u kthye në një revoltë masive të studentëve dhe gjimnazistëve për kushtet e arsimit, koston e papërballueshme të jetesës dhe dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Protesta përshkallëzoi në dhunë të martën pasdite. Që atëherë, përplasja mes protestuesve dhe policisë ka ndaluar vetëm pas mesnatës.

Ndërkohë, të enjten, në ditën e tretë të saj, protesta doli jashtë kufijve të Tiranës. Studentët dhe nxënësit e gjimnazeve bojkotuan mësimin dhe u përplasën me policinë në Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Kamëz dhe Krujë. Kuvendi i Shqipërisë anuloi seancën plenare.

Vetëm në kryeqytet, bilanci i tre ditëve të përplasjeve shënoi shifra të larta të lënduarish, dëmtimesh dhe arrestimesh. Të martën, protesta para Ministrisë së Arsimit u mbyll me 23 të shoqëruar nga policia. Prej tyre u arrestuan 16 persona, ndërsa 49 të tjerë u proceduan. Gjatë protestës u lënduan gjashtë policë, një gazetare dhe të paktën 13 qytetarë që kërkuan ndihmë mjekësore.

Të mërkurën, 14 tetor, përplasjet u shtrinë në të gjithë qytetin. Protestues të maskuar sulmuan me gurë, kapsolla dhe kokteje molotovi institucionet shtetërore, thyen filiale bankash e biznese private, si dhe sulmuan Komisariatin e Policisë nr. 2. Aty dogjën një automjet policie dhe dëmtuan tre mjete të tjera. Për ngjarjet e së mërkurës, policia njoftoi se u arrestuan në flagrancë 55 shtetas, përfshi dy të mitur, dhe u proceduan penalisht 98 të tjerë. Ndër të proceduarit ka edhe persona të akuzuar për vjedhje të bankave dhe arkave të kursimit.

Në një deklaratë për shtyp të enjten pasdite, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, bëri të ditur se gjatë 72 orëve të tensioneve numri i punonjësve të policisë të plagosur ka arritur në 71 efektivë, disa prej të cilëve me dëmtime të rënda. Ministria e Shëndetësisë, e cila raportoi fillimisht numrin e personave të lënduar, përfshi protestuesit, nuk ka bërë njoftime në ditët vijuese.

Kritikat ndaj policisë

Kritikat ndaj policisë

Mënyra se si policia ka reaguar gjatë këtyre tre ditëve është kritikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, organizatat e medias dhe përfaqësitë diplomatike perëndimore. Ato kanë dënuar si dhunën ndaj pronës, ashtu edhe veprimet joproporcionale të policisë. Ish-drejtuesit e lartë të vetë institucionit dhe studiuesit e sigurisë e shohin këtë reagim me skepticizëm.

Për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, dhuna dhe sidomos përshkallëzimi i saj me sulme ndaj bizneseve private janë tërësisht të patolerueshme. Megjithatë, ai thekson se Policia e Shtetit e kishte mundësinë për ta ndaluar këtë degradim, dhe mbetet e paqartë pse nuk është vepruar në kohë. Sipas Nanos, policia nuk mund të kapet në befasi nga lëvizjet e protestuesve. Përveç Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, FNSH, ajo disponon informacion operativ dhe e ka të qartë paraprakisht se çfarë mund të ndodhë në një protestë të tillë.

Ai kujtoi se ekzistojnë protokolle të qarta ligjore që policia duhet t’i zbatojë, që nga thirrjet me zë, te përdorimi i ujit dhe gazit lotsjellës, e deri te mënyra e rregulluar se si efektivët lëvizin në terren, duke shtuar se megjithëse policia nuk lëviz aq shpejt sa protestuesit, ajo nuk ka pse t’i ndjekë ata në mënyrë kaotike.

“Kjo me punonjës policie që shkëputen nga kordoni dhe qëllojnë me shkopinj gome protestues derisa këta rrëzohen në tokë, është joprofesionale,” tha Nano. Ai shtoi se nuk beson që efektivët të kenë urdhër për veprime të tilla, por e sheh si “mungesë trajnimi dhe profesionalizmi të atyre efektivëve”.

“Policia e Shtetit e ka mundësinë të ndalojë përshkallëzimi e dhunës nuk mund të them se cilat janë arsyet që nuk është vepruar”, tha ai duke e cilësuar si të “çuditshme dhe të pakuptueshme” mënyrën e veprimit.

Ndërsa ditën e parë pati akuza për përdorim joproporcional të forcës dhe gazit lotsjellës në zona urbane me banorë e fëmijë, nata e së mërkurës nxori në pah të kundërtën: mungesën totale të kontrollit të territorit, teksa sulmoheshin ministritë, bankat, bizneset dhe Komisariati nr. 2. Një tjetër ish-drejtues i policisë dhe i forcave të FNSH-së, i cili kërkoi të mbetej anonim, tha se situata mund të menaxhohej dhe të përballohej. Mosndërhyrja e policisë në momente të caktuara, sipas tij, “la shumë për të dëshiruar”, pasi të mërkurën policia e komisariateve nuk ishte e pranishme në rrugë deri pas mesnatës.

“Policia nuk kishte kontroll fare mbi territorin; s’po them në gjithë qytetin, por në atë që njihet si Unaza e Vogël,” tha ish-drejtuesi i FNSH-së. Ai shpjegoi se nuk është vetëm FNSH-ja që ka detyra të caktuara, por edhe policia e komisariateve duhej të ishte e angazhuar dhe e pranishme në rrugë, sidomos pasi protesta u shpërnda, kur ndodhi edhe pjesa më e madhe e vandalizmave dhe thyerjeve dhe duhej të ishte në gjendje të ndërhynte e t’i ndalonte ato, qoftë përmes pranisë, qoftë përmes presionit.

Problemet strukturore të policisë

Për Romario Shehun, studiues i Programit të Sigurisë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, luhatjet e sjelljes policore në këto protesta lidhen ngushtë me problemet e brendshme strukturore të institucionit. Ato lidhen gjithashtu me perceptimin e kahershëm publik se policia në Shqipëri funksionon si “zgjatim i pushtetit ekzekutiv”. Ky perceptim ka dëmtuar legjitimitetin, besimin e publikut dhe vetë performancën e saj.

Sipas tij, efektivët përballen sot me padrejtësi në sistemin e gradave, mungesë meritokracie, mungesë të mbështetjes psiko-sociale dhe orë të gjata pune. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si ata menaxhojnë situatat e tensionuara.

“Orët e gjata në shërbim, lodhja, presioni psikologjik dhe sulmet e vazhdueshme fizike që përballojnë mund të ndikojnë në vetëkontrollin e punonjësve dhe t’i shtyjnë ata të dalin përtej kufijve të lejuar,” tha Shehu, duke theksuar se megjithëse protestat aktuale në Tiranë e më gjerë pasqyrojnë këtë dinamikë, “dhuna joproporcionale e policisë nuk justifikohet”.

Ai shtoi se përshkallëzimi i situatave nuk i shërben asnjëherë policisë. Për këtë arsye, qetësimi, komunikimi dhe vetëkontrolli duhet të jenë pjesë e profesionalizmit policor, edhe kur pala tjetër shfaqet e dhunshme. Megjithatë, Shehu e sheh përplasjen aktuale mes të rinjve dhe policisë si simptomë të një krize shumë më të rëndë shoqërore dhe institucionale, ku vërehet një normalizim shqetësues i dhunës dhe mllefit ndaj institucioneve.

“Është e dhimbshme të shohësh video ku policët dhunojnë të rinj, por po aq e papranueshme është të shohësh të mitur që dhunojnë punonjës policie,” tha Shehu. “Kur policia dhe të rinjtë përfundojnë në këtë marrëdhënie armiqësore, kemi një problem shumë më të thellë se një protestë. Kemi një problem të besimit, të autoritetit dhe të mënyrës se si po e ndërtojmë marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarin”, tha ai.

Por kreu aktual i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mohoi që policia të ketë pasur qasje të ndryshme apo mangësi në planin operacional gjatë tre ditëve. Ai këmbënguli se të gjithë drejtuesit kanë qenë “në lartësinë e detyrës”, se policia “nuk është pronë e asnjë partie politike” dhe se përdorimi i gazit lotsjellës ishte i pashmangshëm përballë “lumit të breshërive të gurëve”.

“Nuk e pa njeri sa gurë përballoi policia ditën e parë dhe të gjithë u ankuan vetëm për reagimin me forcë të policisë. Ditën e dytë ankohen se policia ishte më pak aktive,” tha Hita./BIRN

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.