“Paqe” në protestë, policia spraps autobotin e ujit, u liron rrugën protestuesve
Komandanti i FNSH: Ju vaftë mbarë, vazhdoni protestën në mënyrë paqësore
Tensionet gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit janë shoqëruar edhe me një komunikim të drejtpërdrejtë mes komandantit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhe të rinjve të vendosur në vijën e parë të tubimit.
Gjatë bisedës, komandanti u bëri thirrje protestuesve të ruajnë karakterin paqësor të protestës dhe të shmangin hedhjen e gurëve, duke paralajmëruar se në rast të kundërt policia do të përgjigjet me ujë.
“Ju vaftë mbarë, vazhdoni protestën në mënyrë paqësore. Nuk ka civilë. Mos godisni me gurë. Nëse godisni me gurë, do t’ju përgjigjemi me ujë”, dëgjohet të thotë komandanti në komunikimin me të rinjtë.
Protestuesit kërkojnë largimin e civilëve
Nga ana tjetër, protestuesit i kërkuan atij të hiqte kapelen dhe të garantonte largimin e personave civilë që, sipas tyre, ndodheshin mes turmës. Komandanti u përgjigj se nuk kishte dijeni për praninë e civilëve në mesin e protestuesve.
Incidentet e një dite më parë
Një tjetër çështje e ngritur nga të rinjtë lidhej me incidentet e një dite më parë, kur disa efektivë policie dyshohet se kanë hedhur gurë në drejtim të studentëve.
Për këtë shqetësim, komandanti deklaroi se efektivët përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi, duke përsëritur se rrethanat e ngjarjes duhet të verifikohen.
Komunikimi gjatë protestës
Komunikimi u zhvillua në një moment kur studentët vijonin protestën para Ministrisë së Arsimit, ndërsa përplasjet dhe pretendimet për veprime të palëve vazhdonin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



