“Mos gjuani kur jemi në tokë”, protestuesit dhe policia lënë për pak çaste përplasjet
Në një moment qetësie mes tensioneve të protestës, protestuesit dhe forcat e rendit kanë lënë mënjanë përplasjet për t’u ulur në një komunikim të drejtpërdrejtë. Një prej drejtuesve të policisë është filmuar duke biseduar me disa të rinj, disa prej të cilëve mbanin maska në fytyrë.
Gjatë bisedës, të rinjtë kanë kërkuar që të lejohen të shprehin pakënaqësitë e tyre dhe të mos përballen me dhunë nga efektivët. Ata kanë shprehur zemërimin për mënyrën se si, sipas tyre, policia është sjellë ndaj protestuesve, duke kërkuar që forcat e rendit të mos përdorin forcë ndaj personave që ndodhen të rrëzuar në tokë.
“Nuk duam gjak, nuk duam një 1997-të të dytë”, ishte mesazhi që të rinjtë përcollën gjatë komunikimit, teksa theksuan se qëllimi i tyre nuk është shkatërrimi i kryeqytetit, por dëgjimi i kërkesave të tyre.
Ata u shprehën se policia mund t’i shoqërojë nëse e konsideron të nevojshme, por kundërshtuan përdorimin e dhunës gjatë ndërhyrjeve. Të rinjtë përmendën gjithashtu lodhjen fizike pas orëve të gjata në protestë dhe u bënë thirrje efektivëve të mos i godasin.
Nga ana tjetër, drejtuesi i policisë u kërkoi protestuesve që tubimi të vijojë në mënyrë paqësore. Ai theksoi nevojën për të shmangur sulmet ndaj bizneseve, institucioneve publike dhe punonjësve të policisë, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet më tej.
Një tjetër moment që tërhoqi vëmendjen gjatë këtij komunikimi ishte gjesti i disa protestuesve, të cilët u dhanë ujë efektivëve të policisë.
Pamja shënoi një çast afrimi mes dy palëve, në një protestë të karakterizuar nga tensionet dhe përplasjet.
Takimi i drejtpërdrejtë mes të rinjve dhe drejtuesit të policisë solli për pak çaste një atmosferë më të qetë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ky komunikim do të ndikojë në uljen e tensioneve gjatë vijimit të protestës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


