Protestë edhe në Korçë, mësuesi u bën thirrje të shmangin dhunën
Protestat kundër qeverisë vijojnë edhe në Korçë, ku të rinjtë kanë dalë për të tretën ditë radhazi në rrugë, duke marshuar në mënyrë paqësore përgjatë pedonales së qytetit dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë marshimit, protestuesit kanë ndaluar edhe para godinës së Bashkisë së Korçës, ku kanë përsëritur thirrjet kundër kreut të qeverisë. Deri në këto momente, tubimi po zhvillohet pa tensione dhe nuk raportohen incidente.
Pjesë e reagimeve në mbështetje të të rinjve është bërë edhe një mësues gjimnazi, i cili u ka përcjellë protestuesve një mesazh për të vijuar me protesta paqësore dhe për të mos u përfshirë në akte dhune.
Ai i ka këshilluar gjimnazistët të shprehin pakënaqësitë e tyre përmes protestës paqësore, duke shmangur veprimet që mund të sjellin përplasje apo dëmtime.
Protesta në Korçë zhvillohet në kuadër të mobilizimit të të rinjve në disa qytete të vendit, ku kërkesat për largimin e kryeministrit janë shoqëruar me marshime dhe thirrje kundër qeverisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



