E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Shqipëria e zhytur në kaos e flakë, Rama ‘arratiset’ në Vjenë”
Lajme

“Shqipëria e zhytur në kaos e flakë, Rama ‘arratiset’ në Vjenë”

Kryeministri në vizitë zyrtare drejt Austrisë

Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë të hënën një vizitë zyrtare në Vjenë, në një moment kur Shqipëria po përjeton protesta të vazhdueshme kundër qeverisë. Udhëtimi i kreut të ekzekutivit shqiptar dhe situata politike në vend kanë tërhequr vëmendjen e së përditshmes austriake “Kurier”, e cila i ka kushtuar një artikull të veçantë zhvillimeve në Shqipëri.

Gazeta e përshkruan vizitën në Austri si një “pushim të mirëpritur” për Ramën nga protestat që, sipas saj, prej muajsh po sfidojnë qeverinë e tij. Në qendër të analizës është kontrasti mes axhendës diplomatike të kryeministrit dhe kërkesave të protestuesve, të cilët kërkojnë largimin e tij pas 13 vitesh në pushtet.

Sipas “Kurier”, marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve janë një nga arsyet që i japin rëndësi të veçantë kësaj vizite. Austria renditet ndër investitorët e rëndësishëm të huaj në Shqipëri, ndërsa gjatë vitit 2025 shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë shënuar nivelin më të lartë të regjistruar deri më tani.

E përditshmja austriake e lidh këtë marrëdhënie edhe me praninë e kompanive të njohura në tregun shqiptar, mes tyre Verbund, Strabag, Raiffeisen Bank, Vienna Insurance Group dhe CINEPLEXX. Në të njëjtën kohë, turizmi dhe bashkëpunimi ekonomik mbeten pjesë e rëndësishme e lidhjeve mes dy vendeve.

Artikulli nënvizon gjithashtu mbështetjen që Austria i jep integrimit evropian të Shqipërisë, ndërsa Tirana synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Nga protesta për mjedisin te kërkesa për dorëheqjen e Ramës

Pjesa më e fortë e shkrimit të “Kurier” lidhet me zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri. Gazeta vë përballë pritjen zyrtare që Rama pritet të marrë në Vjenë me protestat që kanë përfshirë rrugët e kryeqytetit shqiptar.

Sipas artikullit, kancelari federal austriak Christian Stocker pritet ta presë kryeministrin shqiptar me nderime ushtarake, ndërsa në Shqipëri demonstruesit vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij.

“Kurier” ndalet edhe te të ashtuquajturat “Protestat e Flamingove”, të cilat nisën si kundërshtim ndaj një projekti turistik luksoz në zonën e Zvërnecit, ku pretendohet se ka interesa edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Ajo që fillimisht u paraqit si një lëvizje për mbrojtjen e mjedisit, sipas gazetës, është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama.

Kështu, vizita e ardhshme në Austri zhvillohet në një klimë të fortë kontrasti: nga njëra anë, marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike me një partner të rëndësishëm evropian; nga ana tjetër, presioni i protestave në vend dhe kërkesa për ndryshim politik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.