E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Plumbat e gomës ndaj protestuesve, Skënder Hita: Lejohen, por me kufizime
Lajme

Plumbat e gomës ndaj protestuesve, Skënder Hita: Lejohen, por me kufizime

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka dhënë shpjegime për mënyrën se si forcat e rendit kanë ndërhyrë gjatë pesë ditëve të protestave studentore në Tiranë.

Në fokus të deklaratës së tij ishte përdorimi i mjeteve policore, përfshirë ato për të cilat janë ngritur dyshime pas raportimeve për protestues të lënduar, si dhe sulmet ndaj efektivëve gjatë përplasjeve.

Hita këmbënguli se policia ka përdorur pajisje të lejuara dhe të certifikuara, duke theksuar se ndërhyrjet janë kryer në mënyrë të kufizuar.

“Mjetet dhe pajisjet policore të lejuara, që janë përdorur, janë përdorur në mënyrë të kufizuar, pasi nga ana jonë përdoren mjete të përcaktuara, si në të gjitha vendet e BE-së. Policia përdor vetëm pajisje të certifikuara për këtë qëllim”, deklaroi ai.

Plumbat e gomës dhe lëndimet e protestuesve

Deklarata vjen pas përplasjeve të regjistruara në Rrugën e Durrësit, ku disa të rinj kanë raportuar lëndime dhe janë ngritur dyshime për përdorimin e plumbave të gomës nga policia.

Pamjet e shpërndara nga terreni kanë treguar protestues me shenja goditjeje në trup, ndërsa në disa raste është kërkuar edhe ndërhyrja e ekipeve mjekësore.

Megjithatë, në sqarimin e tij, Hita nuk dha detaje konkrete për llojin e municionit të përdorur gjatë ndërhyrjeve dhe as për lidhjen e mundshme mes tij dhe dëmtimeve të raportuara nga protestuesit.

Përdorimi i mjeteve të forcës nga policia mbetet kështu një prej çështjeve që kërkon sqarim, veçanërisht në kushtet kur përplasjet kanë përfshirë edhe të rinj.

Hita flet për efektivët e plagosur: Një polic ka fraktura të shumta në nofull

Krahas ndërhyrjeve policore, drejtori i Policisë u ndal edhe te dëmtimet e pësuara nga punonjësit e rendit. Sipas tij, gjatë protestave janë përdorur vida dhe zare metalike, të cilat janë hedhur në drejtim të efektivëve me mjete të tjera.

“Vida dhe zara, që qëllohen me mjete të tjera, kanë dëmtuar shumë punonjës policie. Një prej punonjësve ka pësuar dëmtime të rënda në gojë dhe në nofull, pasi ka fraktura të shumta”, u shpreh Hita.

Ai theksoi gjithashtu se dhuna e ushtruar nga një pjesë e demonstruesve nuk duhet të përdoret për të përgjithësuar qëndrimin ndaj të gjithë personave që kanë marrë pjesë në protesta.

“Në këto protesta të dhunshme, nuk mund të mendojmë që një grup i vogël përfaqëson të gjithë protestuesit, si ata të qetë, ashtu edhe ata të dhunshëm”, deklaroi drejtori i Policisë.

Dita e pestë e protestave, përplasje në Tiranë dhe thirrje për dorëheqjen e Ramës

Konferenca e Hitës vjen në ditën e pestë të protestave studentore, të shoqëruara me tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit.

Në Rrugën e Durrësit dhe pranë Kryeministrisë, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa protestuesit kanë vijuar grumbullimet dhe marshimet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Protestës i janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë, ndërsa një nga kërkesat kryesore të demonstruesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Qëndrimi i bërë publik nga drejtori i Policisë pasqyron versionin zyrtar të forcave të rendit për përdorimin e pajisjeve policore dhe dëmtimin e efektivëve. Megjithatë, për të sqaruar plotësisht atë që ka ndodhur gjatë ndërhyrjeve, nevojitet verifikimi i rrethanave të lëndimeve të raportuara nga të dyja palët, përfshirë identifikimin e mjeteve të përdorura dhe dokumentimin e pasojave të tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.