Shehaj thirrje Ramës: Jep dorëheqjen para se të ndodhë ndonjë tragjedi
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i është drejtuar me një thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme për t’i dhënë fund situatës së tensionuar që ka përfshirë kryeqytetin.
Përmes një video-mesazhi të regjistruar nga sheshi i protestës, Shehaj ka paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të përplasjeve, duke kërkuar që kreu i qeverisë të mos vonojë largimin nga detyra.
“Jep dorëheqjen menjëherë. Jep dorëheqjen para se të ndodhë ndonjë tragjedi. Njofto dorëheqjen që kjo situatë të mbarojë. Sa më shpejt. Njofto dorëheqjen. Nuk mund të vazhdosh të qëndrosh aty”, deklaron Shehaj në mesazhin e tij.
Kreu i Partisë Mundësia ka kritikuar gjithashtu përdorimin e forcës ndaj protestuesve, duke përmendur posaçërisht studentët dhe të rinjtë që janë përballur me policinë gjatë tubimit.
“Nuk mund të qëllosh mbi protestuesit, mbi studentët. Sa më shpejt dorëheqjen”, thekson ai, duke përsëritur kërkesën që Rama të njoftojë largimin e tij nga posti i kryeministrit.
Thirrja e Shehajt vjen në ditën e pestë të protestave të studentëve, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje të vazhdueshme në Tiranë. Situata është rënduar nga ndërhyrjet e forcave të rendit, të cilat kanë përdorur gaz lotsjellës dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës, ndërsa janë raportuar edhe përdorime të plumbave të gomës.
Përplasjet kanë shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e situatës, ndërsa kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit është rikthyer në qendër të mesazheve politike që vijnë nga sheshi i protestës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



