Drejtori i Policisë së Tiranë përfundon te Trauma me krahun e fashuar
Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, është paraqitur në Spitalin e Traumës pas dëmtimeve që ka marrë gjatë përplasjeve të regjistruara në protestën e kësaj të shtune në kryeqytet. Ai është parë me njërin krah të fashuar.
I dëmtuar ka mbetur edhe Besmir Qibini, drejtues i Komisariatit Nr. 3. Ai po trajtohet në të njëjtin spital për plagët e marra në kokë, të cilat kanë kërkuar ndërhyrje mjekësore dhe qepje.
Lëndimi i dy drejtuesve të policisë vjen pas disa orësh tensionesh dhe përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të rendit, të cilat u shtrinë në disa zona të Tiranës.
Gjatë tubimit, protestuesit kanë hedhur gurë, sende të forta dhe kokteje Molotov, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmat.
Përplasjet nisën pranë Kryeministrisë, për t’u zhvendosur më pas drejt Shallvareve, Rrugës së Durrësit, zonës pranë Bankës së Shqipërisë dhe Rrugës së Dibrës. Efektivët e policisë, të mbështetur nga automjete ujëhedhëse dhe furgonë, kanë ndjekur grupet e protestuesve gjatë lëvizjes së tyre nëpër kryeqytet.
Situata është shoqëruar edhe me djegien e koshave të mbeturinave dhe vendosjen e objekteve të ndryshme në rrugë, të përdorura për të penguar lëvizjen e mjeteve policore.
132 efektivë të lënduar gjatë protestave
Dëmtimet e Torbës dhe Qibinit i shtohen bilancit të punonjësve të policisë të lënduar gjatë protestës. Më herët, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kishte bërë të ditur se 132 efektivë ishin lënduar gjatë zhvillimeve të protestës.
Deri tani, nuk janë bërë të ditura hollësi të plota për gjendjen shëndetësore të dy drejtuesve pas trajtimit në spital.
Protesta e kësaj të shtune është e pesta radhazi kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Tubimi është shoqëruar me përplasje të përsëritura mes demonstruesve dhe policisë, persona të lënduar dhe shoqërime në komisariate.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



