E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tirana në flakë, Rama u shpërndan deputetëve skenarin
Lajme

Tirana në flakë, Rama u shpërndan deputetëve skenarin

60 sekonda para kamerës për të shuar e sulmuar revoltën!

Në ditën e pestë të protestave kundër qeverisë, Edi Rama u ka përcjellë deputetëve të Partisë Socialiste një plan komunikimi që synon të përcjellë mesazhe për qetësi, siguri dhe dialog. Udhëzimi vjen në një moment kur përplasjet mes demonstruesve dhe policisë kanë përfshirë disa zona të kryeqytetit, me përdorim të gazit lotsjellës, hedhje të koktejeve Molotov dhe zjarre në rrugë.

Sipas materialit të shpërndarë, deputetëve u kërkohet të realizojnë video të shkurtra, me një kohëzgjatje nga 30 deri në 60 sekonda, përmes të cilave t’u drejtohen qytetarëve. Mesazhet duhet të kenë një ton të qetë dhe të përqendrohen te siguria, mbrojtja e fëmijëve dhe bizneseve, si dhe shmangia e dhunës.

Udhëzimet shkojnë përtej përmbajtjes së mesazhit. Videot duhet të regjistrohen vertikalisht, ndërsa për xhirimet në shtëpi ose në zyrë rekomandohet përdorimi i një kamere të palëvizshme. Gjithashtu, deputetëve u sugjerohet të mos shfaqin simbole partiake.

Tri skenarë për videot e socialistëve

Plani i komunikimit parashikon tre formate të ndryshme për daljet publike të deputetëve.

I pari është një video individuale nga banesa ose zyra, ku deputeti i drejtohet drejtpërdrejt publikut. Formati i dytë parashikon regjistrime në terren, pranë shkollave, tregjeve ose bizneseve, me theks te siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e aktivitetit ekonomik.

Mundësia e tretë është realizimi i videove në grup, ku dy ose tre këshilltarë bashkiakë përcjellin mesazhe të shkurtra për situatën dhe nevojën për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.

Një pjesë e veçantë e udhëzimit lidhet me gjuhën që duhet përdorur. Deputetëve u kërkohet të shmangin etiketime si “huliganë” apo “të paguar”, si dhe përmendjen e partive politike. Në vend të tyre, komunikimi duhet të mbështetet te shqetësimet e qytetarëve, kundërshtimi i dhunës dhe thirrjet për dialog.

Edhe teksti është gati: Çfarë duhet të thonë para kamerës?

Materiali përfshin edhe një tekst të gatshëm, të cilin deputetët mund ta përdorin gjatë regjistrimit të videove. Mesazhi nis me pranimin e pakënaqësive të qytetarëve dhe vijon me thirrjen për të shmangur dhunën, për të mbrojtur fëmijët e bizneset dhe për t’i zgjidhur problemet përmes dialogut.

Në thelb, deputetëve u sugjerohet të flasin në vetën e parë, të përdorin gjuhë gjithëpërfshirëse dhe të shprehen me një ton të matur, duke shmangur përplasjet verbale me protestuesit.

Kështu, në një moment kur kundërshtimi ndaj qeverisë po shprehet përmes protestave në rrugët e Tiranës, komunikimi i shumicës parlamentare synon të zhvendosë vëmendjen te pasojat e dhunës dhe nevoja për ruajtjen e rendit.

Detajet e udhëzimit, nga kohëzgjatja e videove deri te fjalët e sugjeruara, tregojnë një përpjekje për të koordinuar mesazhet publike të përfaqësuesve socialistë gjatë një situate të tensionuar politike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.