Shpërthim në Vlorë, shënjestrohet makina e administratorit të Shushicës
Një automjet dyshohet se është dëmtuar nga një shpërthim me lëndë plasëse në orët e para të mëngjesit në fshatin Llakatund të Vlorës. Në shënjestër ka qenë makina e një 29-vjeçari, i cili ushtron detyrën e administratorit të njësisë administrative Shushicë.
Ngjarja është konstatuar rreth orës 02:50, ndërsa automjeti ishte i parkuar pranë banesës së pronarit, i cili është banues në Shushicë. Sipas të dhënave paraprake të bëra publike nga Policia, bëhet fjalë për shtetasin me inicialet I. B., 29 vjeç.
Pas incidentit, grupi hetimor ka nisur punën për të përcaktuar mënyrën se si ka ndodhur ngjarja dhe për të mbledhur provat e nevojshme për dokumentimin e saj. Paralelisht, po vijojnë veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit ose personave që dyshohet se janë përgjegjës.
Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar mbi motivet e mundshme të shpërthimit dhe as mbi ndonjë konflikt të mundshëm që mund të lidhet me ngjarjen. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi rrethanat dhe objektivin e këtij incidenti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



