Policia merr në mbrotje selinë e PS-së, ‘gardh’ para godinës
Forca të shumta policie janë angazhuar në Tiranë gjatë protestës së sotme, e cila hyn në ditën e shtatë të tubimeve të të rinjve kundër qeverisë. Efektivët janë pozicionuar edhe përreth selisë së Partisë Socialiste, në një situatë të tensionuar, ndërsa studentët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta nisi në Rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, ku të rinjtë u mblodhën për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë. Pas përplasjeve me policinë, turma u shpërnda nga zona, ndërsa protestuesit vijuan lëvizjet në rrugët e kryeqytetit.
Ndërkohë, autoritetet kanë shtuar praninë e forcave të rendit pranë selisë së Partisë Socialiste, në kuadër të masave të sigurisë gjatë zhvillimit të protestës.
Kërkesa kryesore e studentëve dhe të rinjve që janë bashkuar në tubime mbetet largimi i Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë. Zhvillimet në terren vijojnë të monitorohen nga policia, ndërsa situata mbetet e tensionuar pas përplasjeve të regjistruara në orët e para të protestës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



