SPAK: Sot iu komunikuan 4 akuza të pandehurës Belinda Balluku
Korrupsion, 9 herë shkelje e barazisë në tendera, mosdeklarim dhe fshehje pasurie, pastrim i produkteve të veprës penale
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar zyrtarisht se më 20 tetor 2026 i ka komunikuar Belinda Ballukut akuzat përfundimtare në kuadër të çështjes penale që po hetohet ndaj saj.
Sipas njoftimit të SPAK, akuzat përfshijnë disa vepra penale, mes tyre shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë, korrupsionin pasiv, mosdeklarimin ose fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Një nga pikat kryesore të dosjes lidhet me nëntë episode të dyshuara të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, të kryera në bashkëpunim. Kjo vepër penale parashikohet nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Ballukut i janë komunikuar gjithashtu akuza për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, sipas nenit 259 të Kodit Penal, si dhe për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, sipas nenit 260.
Akuza për deklarimin e pasurisë
Një tjetër pjesë e akuzave lidhet me deklarimin e pasurisë. Sipas SPAK, ndaj Ballukut rëndojnë dy episode të dyshuara të refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive dhe interesave privatë. Kjo vepër penale parashikohet nga neni 257/a, paragrafi i dytë, i Kodit Penal.
SPAK: Dy pasuri të paluajtshme në kuadër të akuzës për pastrim parash
Akuza për pastrim parash
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Posaçme bën me dije se Ballukut i është komunikuar edhe akuza për pastrimin e produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, sipas nenit 287, germa “b”, të Kodit Penal.
Sipas organit të akuzës, kjo vepër dyshohet se është kryer në rrethana cilësuese, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë. Ndërsa referimi në njoftim lidhet me dy pasuri të paluajtshme.
Veprimet e mëtejshme të prokurorisë
SPAK thekson se procedurat nuk kanë përfunduar vetëm me komunikimin e akuzave ndaj Ballukut. Prokuroria po vijon veprimet konkrete procedurale për t’ua komunikuar akuzat edhe personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje penale.
Detaje të mëtejshme për hetimin pritet të bëhen publike në një moment të mëvonshëm.
Komunikimi i akuzave përfundimtare shënon një zhvillim të rëndësishëm procedural në çështjen ndaj Ballukut. Megjithatë, akuzat e ngritura nga prokuroria përbëjnë pretendime të organit të akuzës, ndërsa përgjegjësia penale përcaktohet nga gjykata me vendim përfundimtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



