Pedagogët shpallin BOJKOTIN në të gjitha universitetet publike
Sindikata e Universiteteve ka vendosur të ndërpresë procesin mësimor në të gjitha universitetet publike të vendit, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit që prej ditësh po protestojnë kundër qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Vendimi është marrë nga Kryesia e Sindikatës gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë, ku studentë dhe pedagogë marshuan drejt Kryeministrisë. Tubimi u shoqërua edhe me refuzimin e dialogut të propozuar nga kreu i qeverisë, ndërsa protestuesit vijojnë të kërkojnë përgjigje konkrete për shqetësimet e tyre.
Bojkoti i mësimdhënies nis këtë të mërkurë dhe do të jetë në fuqi deri në një njoftim të dytë. Në kuadër të këtij vendimi, pedagogët do të mblidhen çdo ditë përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik, duke e zhvendosur qëndrimin e tyre në mbështetje të studentëve edhe jashtë auditorëve.
Sindikata: Studentët u përballën me heshtje dhe dhunë, jo me dialog
Në arsyetimin e vendimit, Sindikata e Universiteteve thekson se protestat e studentëve nuk lidhen vetëm me kërkesat për përmirësimin e arsimit, por edhe me shqetësime më të gjera që prekin jetën publike, sigurinë dhe përgjegjshmërinë e institucioneve.
Sipas sindikatës, studentët kanë protestuar prej muajsh për arsim cilësor, shërbime shëndetësore dinjitoze, siguri për jetën dhe pronën, si dhe për llogaridhënie nga institucionet. Megjithatë, organizata e pedagogëve pretendon se kërkesat e tyre nuk kanë marrë përgjigjen e duhur dhe se, nga 13 tetori e në vijim, situata është përshkallëzuar me përdorimin e dhunës ndaj protestuesve.
Pedagogët argumentojnë se nuk mund të vijojnë procesin mësimor sikur asgjë të mos ketë ndodhur, ndërkohë që studentët e tyre përballen me dhunë gjatë protestave. Në deklarimin e saj, sindikata shpreh gjithashtu shqetësimin për zhvillimet politike dhe ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e meritokracisë.
Tri kërkesat e sindikatës dhe kushti për rikthimin në auditorë
Përmes bojkotit, Sindikata e Universiteteve kërkon ndërprerjen e menjëhershme të dhunës ndaj studentëve, hetimin e përdorimit të forcës nga Policia gjatë protestave dhe plotësimin e kërkesave të ngritura nga protestuesit.
Organizata e pedagogëve e konsideron këtë vendim një formë reagimi ndaj situatës së krijuar dhe një shprehje të mbështetjes për studentët, duke argumentuar se procesi arsimor nuk mund të shkëputet nga respektimi i të drejtave dhe dinjitetit të tyre.
Në qëndrimin e saj, sindikata sqaron se bojkoti nuk duhet interpretuar si braktisje e auditorëve, por si një mënyrë për të kundërshtuar kushtet në të cilat, sipas saj, po zhvillohet aktualisht jeta studentore.
Rikthimi në mësimdhënie do të varet nga përgjigjja që do të marrin studentët për kërkesat e tyre. Deri atëherë, pedagogët paralajmërojnë se do të vijojnë të qëndrojnë në mbështetje të tyre, ndërsa bojkoti do të mbetet në fuqi deri në një vendim të ri të sindikatës.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



