Eurodeputeti gjerman Michael Gahler: Krimi nuk lejon rotacionin në Shqipëri
Eurodeputeti gjerman Michael Gahler ka reaguar për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke vënë në dukje pakënaqësinë e qytetarëve ndaj korrupsionit dhe qeverisë. Zyrtari i Parlamentit Evropian, i cili është zëdhënës i grupit parlamentar të Partisë Popullore Evropiane (PPE), thekson se shqetësimet e ngritura nga protestuesit lidhen drejtpërdrejt edhe me perspektivën e integrimit evropian të vendit.
Në reagimin e tij, Gahler rikujton përvojën si drejtues i delegacionit të Parlamentit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, ku, sipas tij, ka dëshmuar nga afër lidhjet mes shtetit, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar.
“Duke qenë në krye të delegacionit të PE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe duke dëshmuar lidhjet midis shtetit, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar, e shoh se sa gjatë kanë protestuar qytetarët kundër korrupsionit dhe qeverisë, duke ngritur shqetësime që prekin thelbin e perspektivës së integrimit evropian të Shqipërisë”, shkruan eurodeputeti gjerman.
Gahler ishte në krye të misionit të vëzhguesve të Parlamentit Evropian gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri. Pas këtij angazhimi, ai kishte ngritur shqetësime edhe për ndikimin e krimit të organizuar në proceset politike dhe funksionimin e demokracisë në vend.
Në atë kohë, eurodeputeti bëri një deklaratë të fortë, duke argumentuar se ndikimi i krimit të organizuar pengon rotacionin politik në Shqipëri.
Reagimi i tij i fundit vjen në një periudhë protestash të vazhdueshme kundër qeverisë së Edi Ramës, ku qytetarët kanë ngritur akuza dhe shqetësime për korrupsionin dhe përgjegjësinë politike. Për Gahlerin, këto çështje nuk lidhen vetëm me zhvillimet e brendshme, por prekin edhe besueshmërinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



