E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Sponsorizohen nga krimi’, Rama nuk i ndal sulmet: Ulërasin si në mesjetë
Lajme

‘Sponsorizohen nga krimi’, Rama nuk i ndal sulmet: Ulërasin si në mesjetë

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar gjuhën ndaj studentëve që prej nëntë ditësh protestojnë kundër qeverisë, pasi ata refuzuan ftesën e tij për dialog dhe vijuan të kërkojnë dorëheqjen e tij. Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar, kreu i qeverisë i cilësoi protestat si të orkestruara dhe pretendoi se pas tyre qëndrojnë elementë kriminalë, grupe të radikalizuara dhe aktorë të huaj.

Në vend që të përqendrohej vetëm te kërkesat e protestuesve, Rama i paraqiti zhvillimet si pjesë të një përpjekjeje për destabilizimin e vendit, duke përmendur edhe lëvizjen ANTIFA dhe grupe që i cilësoi si anarkiste e neokomuniste.

“Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të brendshëm dhe të jashtëm, përmes një lëvizjeje anarkiste neokomuniste, e cila quhet ANTIFA, dhe pjesësh të tjera të radikalizuara të rinisë”, deklaroi Rama.

Kryeministri përdori gjithashtu tone të ashpra për të përshkruar mënyrën se si protestuesit shprehin kërkesat e tyre. Ai tha se një pjesë e tyre përdorin thirrje që, sipas tij, i kujtojnë periudha të errëta historike.

“Ulërasin dhe bëjnë thirrje si në kohën e Mesjetës apo pas luftës për të burgosur cilindo që sipas tyre përfaqëson të keqen”, u shpreh kreu i qeverisë.

Akuzat për financim nga krimi dhe ndërhyrje të huaja

Në vijim të deklaratave të tij, Rama pretendoi se në protestë janë përfshirë grupe kriminale nga lagjet dhe periferitë, të cilat, sipas tij, mbështeten nga krimi i organizuar dhe subjekte politike.

“Ana tjetër është komponenti i kriminalitetit. Kriminaliteti i vogël i lagjeve dhe periferive që mblidhet me sponsorimin e krimit të organizuar, por edhe të subjekteve të tjera politike”, deklaroi kryeministri.

Ai pretendoi gjithashtu se protestat mbështeten nga forca të huaja që synojnë destabilizimin e Shqipërisë dhe të Evropës. Megjithatë, në deklaratën e tij publike nuk paraqiti prova konkrete për të mbështetur pretendimet mbi financimin e protestuesve nga krimi i organizuar apo përfshirjen e aktorëve të huaj.

Në shënjestër edhe pedagogët

Kritikat e kryeministrit nuk u kufizuan vetëm te studentët. Rama shprehu pakënaqësi edhe ndaj pedagogëve që janë solidarizuar me protestën dhe që kanë nisur bojkotin e mësimdhënies në universitetet publike.

Sipas tij, një pjesë e stafit akademik po i japin jehonë dhunës dhe nuk po distancohen prej saj.

“Fatkeqësisht ka njerëz gjithnjë e më pak, por ka njerëz, si rasti i pedagogëve të Universitetit, një pjesë shumë e vogël në tërësi së bashku me të tjerë aty që i bëjnë jehonë dhe nuk bëjnë asgjë për t’u distancuar nga dhuna, gjë që e merr të plotë jehonën në ekrane”, deklaroi Rama.

Ndërkohë, mbështetja e pedagogëve për studentët dhe qëndrimi ndaj akteve të dhunshme janë çështje të ndryshme. Përfshirja e tyre në protestë vjen në një kohë kur sindikata ka vendosur bojkotin e mësimit, ndërsa studentët vijojnë të kërkojnë ndryshime dhe largimin e kryeministrit.

Në përfundim të deklaratave, Rama u përpoq të bënte dallimin mes grupeve që ai i konsideron të dhunshme dhe qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e protestës.

“Këta elementë të bashkuar në një front të vetëm, nuk janë studentët dhe shoqëria që kanë të drejtë të protestojnë për të kërkuar ndryshim dhe gjithçka tjetër”, përfundoi kryeministri.

Përplasja mes qeverisë dhe protestuesve vijon të thellohet, ndërsa ftesa për dialog është refuzuar dhe kërkesa për dorëheqjen e Ramës mbetet një nga thirrjet kryesore të tubimeve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.