E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
(D)Rama shfrenon fantazinë prej ‘diktatori’ dhe shpërthen në kërcënime
Lajme

(D)Rama shfrenon fantazinë prej ‘diktatori’ dhe shpërthen në kërcënime

Kryeministri: Do t’i ndjekim këmbë këmbës, familjeve tuaja do t’u mbyllen akseset në trena, aeroporte, hotele, mjete transporti

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj protestuesve që prej ditësh janë në rrugët e Tiranës kundër qeverisë, duke paralajmëruar masa të forta ndaj personave që përfshihen në akte dhune. Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar, kreu i qeverisë deklaroi se përgjegjësit do të ndiqen deri në identifikimin e tyre, ndërsa paralajmëroi pasoja edhe për familjet e të miturve që dëmtojnë pronën publike apo private.

“Do t’i ndjekim këmbë këmbës. Ky nuk është një qëndrim për të folur, por është një informacion për të gjithë ata që janë ende me dhunën në mendje, që të largohen nga ajo rrugë një orë e më parë”, deklaroi Rama.

Më tej, kryeministri paralajmëroi se familjet e të miturve që kryejnë akte të tilla do të përballen me pasoja financiare dhe pretendoi se mund t’u mohohen shërbime shtetërore.

“Do t’ju vijë fatura në familje. Nuk do të marrë asnjë shërbim nga shteti familja e fëmijës që djeg pronën e tjetrit”, u shpreh ai.

Megjithatë, Rama nuk sqaroi se mbi çfarë baze ligjore do të mund të zbatohej një kufizim i përgjithshëm i shërbimeve shtetërore për familjarët e të miturve që kryejnë akte të paligjshme.

Rama paralajmëron kufizime në udhëtim dhe bashkëpunim me vendet evropiane

Deklaratat e kryeministrit shkuan edhe më tej, duke përfshirë paralajmërime për kufizimin e aksesit në aeroporte, trena, hotele dhe mjete të tjera transporti për personat që identifikohen si të dhunshëm.

“Do t’u mbyllen akseset në trena, aeroporte, hotele, mjete transporti. Do të bashkëpunojmë dhe kemi nisur bashkëpunimin me vendet europiane për ndalimin e aksesit në ato vende si njerëz të dhunshëm”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë tha se bashkëpunimi me vendet evropiane ka nisur, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi mekanizmat konkretë, personat që mund të preken nga këto masa apo procedurat ligjore që do të ndiqen.

Deklaratat ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si do të përcaktohen personat që mund të përballen me kufizime dhe nëse bëhet fjalë për masa që lidhen me vendime individuale të autoriteteve kompetente apo për një politikë më të gjerë.

Paralajmërimet vijnë në një moment kur protestat kundër qeverisë vijojnë në Tiranë, ndërsa studentët dhe qytetarë të tjerë kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Paralelisht, qeveria ka dënuar aktet e dhunës dhe dëmtimet e pronës të regjistruara gjatë tubimeve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.