Anjeza Shahini thirrje Ramës: Më mirë ik si kryeministër i dështuar, sesa si diktator
Këngëtarja e njohur Anjeza Shahini ka reaguar ashpër për zhvillimet e fundit në Tiranë, duke kritikuar mënyrën se si kryeministri Edi Rama po përballet me protestat dhe duke ngritur shqetësime për sjelljen e Policisë së Shtetit ndaj të rinjve që kanë dalë në rrugë.
Përmes një reagimi publik, Shahini e cilëson të papranueshme përdorimin e gjuhës së kërcënimit nga një kryeministër që deklaron se synon të ndalë dhunën. Sipas saj, demokracia kërkon përgjegjësi dhe nuk mund të mbrohet përmes kërcënimeve ndaj qytetarëve.
Këngëtarja shprehet se fillimisht kishte krijuar shpresë se Rama do të tregonte lidership në një situatë të vështirë, por, sipas saj, kjo pritshmëri është shuar. Ajo e sheh reagimin e të rinjve si revoltë dhe protestë legjitime, ndërsa akuzon forcat e policisë për ushtrim dhune gjatë ndërhyrjeve në rrugët e kryeqytetit.
Në reagimin e saj, Shahini ngre shqetësime edhe për respektimin e të drejtave themelore të njeriut, duke përshkruar një situatë që, sipas saj, i ngjan gjithnjë e më shumë një regjimi autoritar sesa funksionimit të një shteti demokratik.
Kritikat e saj drejtohen edhe ndaj prioriteteve të qeverisë. Këngëtarja i kërkon kryeministrit të përqendrohet te ekonomia dhe varfëria, në vend që të investojë në teknologji për identifikimin e të rinjve që marrin pjesë në protesta.
“Shoh një kryeministër kryeneç të cilit i këshilloj të veprojë me përgjegjësi, të mos harxhojë para në teknologji për të kapur kalamaj me kapuç, por të investojë në rritjen e ekonomisë sepse ku ka varfëri, ka krim, ose të largohet si një kryeministër i dështuar më mirë se si një diktator”, shkruan Anjeza Shahini.
Në fund të reagimit, këngëtarja i drejtohet Ramës edhe përmes një mesazhi mbi përgjegjësinë që vjen me votën dhe drejtimin e vendit. Sipas saj, numri i protestuesve nuk duhet të përdoret si argument për të shpërfillur pakënaqësinë qytetare, pasi edhe një zë i vetëm meriton të dëgjohet.
“ Nëse turma është më e vogël se numri i atyre që të votuan, kjo nuk të bën më të fortë por më të përgjegjshëm, nëse shpërfill një turmë të vogël, qoftë edhe një njeri të vetëm, ke shpërfillur gjithkënd”, përfundon reagimin e saj Shahini.
Reagimi i këngëtares vjen në një moment tensionesh të shtuara politike dhe sociale, teksa protestat e të rinjve në Tiranë kanë vënë në qendër të debatit sjelljen e institucioneve, përdorimin e forcës nga policia dhe përgjegjësinë e qeverisë për t’iu përgjigjur pakënaqësisë qytetare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



