Protestuesi ironizon Ramën: Jam më i shqetësuar që s’do kem akses në tren
Një protestues ka ironizuar kryeministrin Edi Rama pas paralajmërimeve për masa ndëshkuese ndaj pjesëmarrësve në protesta, duke e zhvendosur vëmendjen te mundësia e kufizimit të aksesit në transportin hekurudhor.
“Unë jam i shqetësuar për trenin, që nuk do të kem akses tek transporti me tren”, u shpreh qytetari në një prononcim për media, duke përcjellë me ironi reagimin e tij ndaj paralajmërimeve të kryeministrit.
Gjatë deklaratës, protestuesi kritikoi edhe thirrjen e Ramës për dialog me qytetarët, duke argumentuar se qeveria ka shpërfillur për muaj të tërë protestat dhe kërkesat e tyre. Sipas tij, pas 135 ditësh në shesh, kërkesa kryesore mbetet largimi i kryeministrit.
“Dialog me dyer të blinduara nuk ekziston në asnjë vend”, deklaroi ai, duke kritikuar masat e sigurisë në godinën e Kryeministrisë dhe duke vënë në pikëpyetje gatishmërinë e qeverisë për t’u përballur drejtpërdrejt me protestuesit.
Qytetari pretendoi gjithashtu se protesta studentore ka shtuar presionin mbi qeverinë dhe se kryeministri duhet të marrë përgjegjësi për kërkesat e ngritura nga studentët.
“Edi Rama të marrë parasysh kërkesën e parë, që të largohet. Vetëm kështu i jepet zgjidhja kolapsit që ka kapur Shqipërinë sot”, u shpreh ai.
Deklarata vjen në një klimë përplasjesh mes protestuesve dhe qeverisë, ku thirrjet për dialog përballen me insistimin e demonstruesve për dorëheqjen e kryeministrit. Ndërsa qeveria ka sinjalizuar masa ndaj protestuesve, një pjesë e tyre e shohin këtë qasje si përpjekje për të ushtruar presion mbi lëvizjen qytetare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



