E enjte, 22 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Eskavatorët heqin gurët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, bashkia hesht për vendimin
Lajme

Eskavatorët heqin gurët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, bashkia hesht për vendimin

Gurët e trotuareve të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, që dikur u shtruan si simbol i respektit për trashëgiminë kulturore, u hoqën me eskavator. Këto trotuare, që dikur Edi Rama i mbronte me tone të ashpra politike kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, iu nënshtruan një ndërhyrjeje që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si trajtohet një ansambël monumental i mbrojtur. Shkak janë bërë protestat, gjatë të cilave një pjesë e gurëve u përdorën për të goditur policinë. Por a e justifikon kjo heqjen e tyre dhe a po respektohen kriteret ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore?

Eskavatori mbledh gurët, ndërsa punonjësit bashkiakë largojnë të tjerët me dorë. Pamjet nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, më 18 tetor, tregojnë ndërhyrjen në trotuaret prej nga protestuesit kishin shkulur gurë për të goditur policinë.

Por puna nuk u kufizua te grumbullimi i gurëve të hedhur gjatë përplasjeve. Sipas raportimit të Euronews Albania, u hoqën edhe pjesë të shtrimit që kishin mbetur në vend, për të penguar përdorimin e tyre në protestat e mëtejshme.

Këtu nis edhe çështja që Bashkia e Tiranës ende nuk ka sqaruar: deri ku shkon pastrimi pas protestave dhe ku fillon çmontimi i një trotuari brenda Qendrës Historike të qytetit?

Bashkia nuk ka dhënë sqarime për artikullin se kush e ka urdhëruar ndërhyrjen dhe mbi çfarë baze ligjore është kryer ajo. Pa përgjigje mbeten edhe pyetjet për sipërfaqen e prekur, vendin ku janë dërguar gurët dhe nëse ata do të rivendosen.

Mbrojtja që shtrihet edhe mbi trotuaret

Bulevardi është pjesë e një hapësire për të cilën shteti ka vendosur rregulla të posaçme mbrojtjeje. Historia e këtij statusi lidhet me vendime të ndryshme në historinë e këtij bulevardi, ndër të cilat më i fundit është vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 582, datë 3.10.2018.

Atë vit, qeveria miratoi kufijtë dhe planin e ruajtjes së Qendrës Historike, duke përfshirë shprehimisht ansamblin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Vendimi mban firmën e kryeministrit Edi Rama.

Plani lejon rehabilitimin e rrugëve, por kërkon ruajtjen e kompozimit urban. Për projektet e ndërhyrjes në rrjetin rrugor, ai parashikon përfshirjen e institucioneve të trashëgimisë, projektues të licencuar dhe miratim nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Kjo e bën të nevojshme të dihet çfarë po bëhet me trotuaret: po largohen përkohësisht pjesët e dëmtuara, po çmontohet shtrimi apo po përgatitet zëvendësimi i tij? Secila përgjigje do të ndihmonte të kuptohej edhe çfarë procedure duhej ndjekur.

Pamjet e eskavatorëve tregojnë mënyrën e ndërhyrjes: shpejt e shpejt, gjatë natës dhe në lindje të diellit, ndërkohë që qyteti fle.

Edhe urgjenca ka një procedurë

Përplasjet gjatë protestave krijuan rrezik për njerëzit dhe dëmtime në trotuare. Por edhe në rastet kur një pasuri kulturore rrezikon të dëmtohet dhe kërkohet ndërhyrje urgjente, ligji parashikon hapa që duhen ndjekur.

Neni 78 i ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” lejon masa të përkohshme apo parandaluese në raste të jashtëzakonshme. Pronari ose poseduesi duhet të njoftojë menjëherë Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe, brenda 48 orëve, të dorëzojë projektin dhe preventivin ose kërkesën për ndërhyrjen përfundimtare. Kjo dispozitë lidhet me rrezikun e dëmtimit të pasurisë kulturore.

Në rastin e bulevardit, mbetet për t’u sqaruar nëse është ndjekur kjo rrugë, nëse janë njoftuar institucionet e trashëgimisë dhe çfarë kanë kërkuar ato për mbrojtjen e shtrimit.

ACQJ iu drejtua Bashkisë së Tiranës me një kërkesë për koment për këtë çështje, por përgjigjja e marrë deri në momentin e botimit të këtij artikulli ishte heshtja dhe nevoja për një kohë më të gjatë për të komunikuar me strukturat përkatëse, “për shkak të situatës së emergjencës”.

Paratë që u shtuan për bulevardin

Në shtator të vitit 2006, kur Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës, Këshilli Bashkiak miratoi 51.3 milionë lekë shtesë për rikonstruksionin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Paratë u morën nga një tjetër vepër publike: fondi për rikonstruksionin e nyjës së Zogut të Zi, përfshirë nënkalimin, u pakësua me të njëjtën shumë. Vendimi nr. 52, i 11 shtatorit 2006 u miratua me propozimin e kryetarit të bashkisë, pas një relacioni të Drejtorisë së Përgjithshme të Punëve Publike.

Shuma ishte shtesë për rikonstruksionin e bulevardit. Dokumenti nuk tregon koston e plotë të punimeve dhe as sa prej saj shkoi vetëm për gurët e trotuareve.

Ai dëshmon, megjithatë, një zgjedhje të qartë buxhetore: Bashkia zhvendosi para nga një projekt tjetër për t’i investuar në bulevard. Sot, heqja e shtrimit sjell pyetje të reja për atë investim dhe për shpenzimet që do të nevojiten për ta rikthyer trotuarin në përdorim.

Po pas eskavatorëve?

Një pjesë e gurëve u shkulën gjatë protestave. Të tjerë u larguan gjatë ndërhyrjes bashkiake. Për të kuptuar çfarë ka humbur dhe çfarë mund të rikthehet, duhet të dihet sa material është dëmtuar, sa është ruajtur dhe ku ndodhet.

Edhe ndërhyrja urgjente ka detyrime: neni 78 kërkon njoftimin e menjëhershëm të DRTK-së dhe paraqitjen brenda 48 orëve të dokumentacionit për ndërhyrjen përfundimtare. Punimet që tejkalojnë nevojat e urgjencës dhe nuk kanë miratim konsiderohen të paligjshme. Në këto raste, ligji parashikon edhe kthimin në gjendjen e mëparshme, me shpenzimet e përgjegjësit dhe nën mbikëqyrjen e DRTK-së.

Nëse heqja e gurëve ishte një masë urgjente, a u njoftuan institucionet e trashëgimisë dhe a u paraqit brenda 48 orëve dokumentacioni që përcakton çfarë do të bëhet më tej me trotuaret? Bashkia nuk dha përgjigje për këtë dhe as për sa i takon rikthimit në gjendjen fillestare.

Nëse gurët do të rivendosen, bashkia duhet të sqarojë kur dhe si. Nëse do të zëvendësohen, pyetjet shtrihen te projekti i ri, miratimet dhe kostoja e tij.

Deri në këto momente, përtej heshtjes, nuk ka asnjë përgjigje: as se kush e mori vendimin për ndërhyrjen dhe shkatërrimin e pjesshëm të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, as mbi procedurat e detyrueshme për t’u ndjekur dhe as mbi çfarë do të ndodhë në të ardhmen me këtë vepër të shpallur në letër “ansambël monumental i mbrojtur”./acqj

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.