E premte, 23 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
BERISHA, KY KRYEMINISTËR QË QEVERIS EDHE NË OPOZITË
Lajme

BERISHA, KY KRYEMINISTËR QË QEVERIS EDHE NË OPOZITË

Publikuar nga Ergis Noka

“Një mendje e kolonizuar do të luftojë më fort për të mbrojtur imazhin e padronit sesa për të rifituar dinjitetin e vet.”

Këtë fjali e kujtoj sa herë dëgjoj anëtarë dhe simpatizantë socialistë që e reduktojnë protestën në një protestë berishiane, sikur emri i Sali Berishës të mjaftonte për të zhvlerësuar çdo pakënaqësi qytetare.
Le t’i analizojmë gjërat me pak logjikë dhe pa amnezi politike.

Në vitin 1997, Berisha mbahej me të drejtë politikisht përgjegjës për krizën e rëndë që përjetoi vendi, sepse ishte në krye të shtetit. Po kështu, më 21 janar 2011, përgjegjësia politike e qeverisë së tij ishte e pashmangshme, sepse protestuesit përballeshin me një shtet që drejtohej prej tij. Në të dyja rastet, përgjegjësia lidhej me njeriun që ushtronte pushtetin, i cili, përpara se të përdorte forcën e shtetit kundër qytetarëve, duhej të kërkonte zgjidhje politike.

Po sot, kur qeveria drejtohet nga Edi Rama, kur vendimet merren nga AI dhe kur institucionet shtetërore janë nën përgjegjësinë e tij përse Berisha duhet të jetë sërish përgjegjës dhunën?

Ky arsyetim e ka shndërruar Berishën në një lloj kryeministri të përjetshëm të Shqipërisë, që mban përgjegjësi edhe për ato që ndodhin kur qeverisin të tjerët.

Pakënaqësitë reale që ushqejnë protestën nuk mund të zhduken nën etiketën “protestë berishiane”. Fakti që opozita fatkeqësisht drejtohet ende nga Berisha, nuk është çertifikatë pafajësie për qeverinë.

Lideri opozitar, i konsumuar politikisht edhe nga përdorimi i dhunës kur ishte në pushtet, nuk e shuan përgjegjësinë e sotme të Ramës. Përndryshe, do të na duhej të pranonim se një qeveri mund të bëjë gjithçka, mjafton që kundërshtari i saj të ketë një të kaluar të rëndë.

Nuk besoj se shmangia e përgjegjësisë së mazhorancës vjen gjithmonë nga verbëria politike. Shumë prej përkrahësve të saj e kuptojnë se çfarë po ndodh. Por zgjedhin të justifikojnë, të relativizojnë, të tregojnë me gisht nga Berisha, jo sepse kjo e zgjidh problemin, por sepse përballja me të vërtetën do t’i detyronte të përballeshin edhe me përgjegjësinë e tyre.

Fakti që duhet të na shqetësojë është se pushteti i Ramës po shfaq, në raport me protestën, të njëjtat tipare dhunuese si në kohën kur në pushtet ishte Berisha . Për më tepër kur pushteti bëhet gjithnjë e më autoritar, nuk përdor mekanizmat politikë për zgjidhjen e situatës edhe opozita është gjithnjë e më e paaftë, vendi rrezikon të mbetet i bllokuar mes kaosit edhe diktaturës.
Kur protestat shtypen, kur frika normalizohet, kur polarizimi nxjerr jashtë loje ndërgjegjen dhe kur qytetarët mësohen të pranojnë se pushteti mund të bëjë gjithçka, për sa kohë kundërshtari është edhe më i keq, kjo nuk është gjë tjetër veçse formë e kolonizimin politik. Padroni nuk ka më nevojë të të imponojë heshtjen, sepse ti ke mësuar ta quash bindjen tënde ndërgjegje dhe nënshtrimin tënd ta arsyetosh si të pranueshëm , duke paguar çmimin me dinjitetin .

Kjo është diktatura!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.