Edi Rama ka ashpërsuar qëndrimin ndaj protestave të studentëve, duke ngritur akuza të forta për përfshirjen e grupeve të organizuara, financimin nga krimi i organizuar dhe ndërhyrjen e forcave të huaja. Në një deklaratë publike, kryeministri pretendoi se vala e dhunshme e protestave nuk është spontane, por rezultat i një organizimi që, sipas tij, ka nisur prej muajsh.
Në përpjekje për të mbështetur pretendimet e tij, Rama publikoi pamje dhe të dhëna për disa persona të arrestuar gjatë përplasjeve në Tiranë. Ai shfaqi fotografitë e tyre, inicialet dhe të dhëna për precedentët penalë që u atribuoi, duke argumentuar se personat e paraqitur nuk janë studentët që protestojnë për kërkesat e tyre, por individë që, sipas tij, kanë marrë pjesë në akte dhune.
Kryeministri tha se identitetet ishin mbuluar në respekt të ligjit, por përdori të dhënat e publikuara për të ndërtuar versionin e tij mbi personat që, sipas pretendimeve të qeverisë, qëndrojnë pas përshkallëzimit të situatës. Megjithatë, akuzat e bëra në deklaratë nuk përbëjnë, në vetvete, provë se të arrestuarit janë financuar nga organizata kriminale apo subjekte të huaja.
Rama: Dhuna është përgatitur prej muajsh, policia ka të dhëna për maskat dhe eksplozivët
Gjatë reagimit të tij, Rama u përpoq të ndante të drejtën e studentëve për të protestuar nga aktet e dhunshme të shënuara gjatë demonstratave të fundit. Ai deklaroi se kërkesat e të rinjve përbëjnë arsye legjitime për protestë, por këmbënguli se lëvizja është ndikuar nga aktorë të tjerë, të cilët, sipas tij, kanë synuar ta çojnë situatën drejt përplasjes.
Kryeministri pretendoi se institucionet ligjzbatuese disponojnë të dhëna për futjen në Shqipëri të maskave dhe lëndëve eksplozive, si dhe për subjektet që dyshohet se i kanë transportuar ato përmes pikave doganore.
Sipas Ramës, policia po shqyrton gjithashtu të dhëna për organizimin e grupeve që ai i lidhi me rrjetin ANTIFA, të cilin e përshkroi si një strukturë të dhunës urbane. Ai pretendoi se një pjesë e pjesëmarrësve në përplasjet e fundit janë financuar drejtpërdrejt nga krimi i organizuar dhe forca të huaja.
Këto deklarata përbëjnë versionin e kryeministrit mbi zhvillimet e fundit. Përgjegjësia konkrete e personave të përmendur dhe ekzistenca e lidhjeve të pretenduara kërkojnë verifikim nga organet kompetente dhe prova të bëra publike.
Kryeministri sulmon mediat dhe akuzon opozitën për përshkallëzimin e protestave
Në fjalën e tij, Rama kritikoi mënyrën se si mediat kanë pasqyruar përplasjet mes protestuesve dhe policisë. Ai kundërshtoi narrativën se të rinjtë janë përballur vetëm me dhunën policore dhe pretendoi se vëmendja publike është përqendruar në mënyrë të njëanshme te protestuesit e lënduar.
Sipas kryeministrit, raportimet për policët e plagosur nuk janë marrë sa duhet në konsideratë, ndërsa ai akuzoi disa ekrane televizive se kanë relativizuar apo glorifikuar dhunën. Rama e paraqiti situatën si një përmbysje të realitetit, duke pretenduar se publikut i është krijuar përshtypja se studentët kanë qenë vetëm viktima të ndërhyrjes së forcave të rendit.
Në të njëjtën kohë, ai drejtoi gishtin nga Partia Demokratike, duke e akuzuar për përgjegjësi politike në nisjen e akteve të dhunshme pranë Ministrisë së Arsimit. Rama iu referua qëndrimeve të opozitës si një tjetër element që, sipas tij, dëshmon përfshirjen e faktorëve politikë në përshkallëzimin e protestave.
Megjithatë, përgjegjësia për episodet e dhunës duhet të përcaktohet mbi bazën e provave dhe hetimeve, jo vetëm përmes deklaratave politike apo akuzave të ndërsjella.
Rama: Protesta paqësore u shfrytëzua për të goditur qeverinë
Kryeministri deklaroi se që në fillim të protestave kishte pranuar legjitimitetin e pakënaqësive të studentëve, por njëkohësisht kishte paralajmëruar, sipas tij, për ndikimin e forcave të tjera. Ai pretendoi se vala e fundit e përplasjeve e ka bërë më të dukshëm këtë ndikim dhe se synimi i grupeve të përfshira është të krijojnë kaos dhe të ushtrojnë presion mbi qeverinë.
Në përfundim të deklaratës, Rama publikoi pamje të personave të arrestuar dhe tha se ata nuk përfaqësojnë studentët që kanë dalë në rrugë për të kërkuar zgjidhje për shqetësimet e tyre. Sipas tij, këta individë e shohin dhunën si mjet për të detyruar qeverinë të tërhiqet nga qëndrimet e saj.
“Unë do të ndaj me ju pamje që do të trondisin shumëkënd”, deklaroi Rama, duke vijuar me pretendimin se personat e paraqitur synojnë të gjunjëzojnë qeverinë e zgjedhur dhe t’i imponojnë atij shkeljen e marrëveshjes politike me qytetarët.
Deklarata e kryeministrit vjen në një moment kur protestat e të rinjve kanë vënë në qendër të debatit publik reagimin e policisë, trajtimin e protestuesve dhe përgjegjësinë institucionale për përplasjet. Ndërsa qeveria ngre akuza për organizim të qëllimshëm dhe financim të dhunës, mbetet thelbësore që pretendimet për përfshirjen e grupeve kriminale dhe faktorëve të huaj të mbështeten me prova të verifikueshme dhe të hetohen nga institucionet përkatëse.
Lista me emrat e personave me precedent penal, e publikuar nga kryeministri Rama:
Po e filloj me studentin e parë: studenti i parë është ‘’studenti’’ G.I: 57 vjeç, i cili është dënuar më parë për veprat e dhunës në familje dhe mosbindjes ndaj urdhrit të policisë, dënuar më parë.
Precedent kriminal ka ‘’studenti’’ B.P: 41 vjeç, prishje të rendit dhe qetësisë publike, dhunë në familje ndaj vëllait të tij dhe ndaj motrës, tentativë për të kryer marrëdhënie seksuale me të motrën.
Vazhdojmë me studentin, gjithmonë në thonjëza, A.B, 40 vjeç, precedentë kriminal për pjesëmarrje në protesta dhe tubime të paligjshme si dhe për dhunë ndaj punonjësit të policisë gjatë organizimit të protestave të paligjshme.
Vazhdojmë me ‘’studentin’’ E.K: Vjedhje, pjesëmarrje në protesta dhe tubime të paligjshme, pengimi i qarkullimit, dëmtime të tjera me dashje, të gjitha këto vepra për të cilat është dënuar më parë.
S.X: 28 vjeç, precedent kriminal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
E.V: 45 vjeç, precedent kriminal për vetëgjyqësi, mashtrim, fshehje të ardhurash, i dyshuar për marrje financimesh nga fonde të Republikës Khomeiniste të Iranit.
S.D: 45 vjeç, precedentë kriminal për goditje për shkak të detyrës, falsifikim dokumentesh dhe ndotje.
Vazhdojmë me XH.P: 27 vjeç, precedentë kriminal, pjesëmarrje në protesta të paligjshme, pengim të qarkullimit, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Vazhdojmë me J.S: 20 vjeç, por jo student, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, precedent kriminal i regjistruar.
Vazhdojmë me V.A 36 vjeç. Precedent kriminal dënuar me 40 muaj burgim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në Britaninë e Madhe si dhe me dy vjet dhe pesë muaj burgim për veprën penale trafikim i qenieve njerëzore.
Vazhdojmë me A.M 28 vjeç precedent kriminal për veprën penale shkelje rregullave të qarkullimit dëmtim me dashje, mashtrim, falsifikim dokumentash.
Vazhdojmë me A.F 38 vjeç prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike si dhe vjedhje, precedentët e tij kriminalë.
Z.M 30 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike dënuar në Britaninë e Madhe dhe njëkohësisht vjedhje.
A.P 17 vjeç, as nxënës as student, precedent kriminal dëmtime të tjera me dashje.
L.A, 24 vjeç. Mashtrim, kundërshtim dhe goditje për shkak të detyrës së punonjës të policisë. Asnjë lidhje me universitetin, asnjë lidhje me studentët.
AB 20 vjeç, dëmtime me dashje, shkatërrim i pronës, prodhim dhe shitje e lëndës narkotike, asnjë lidhje me universitetin
F.D 32 vjeç, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, vjedhje, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Dëmtime të tjera me dashje pa asnjë lidhje me universitetin
L.M 37 vjeç. Kundërshtimi i punonjësit të policisë, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta. Asnjë lidhje me universitetin
S.D 24 vjeç. Vjedhje, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike
F.M 25 vjeç, precedent kriminal, plagosje lehtë me dashje, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, vjedhje, dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim për veprën penale, shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë. Pra, një grabitës me dhunë.
I.G 36 vjeç, lokal për prostitucion, precedenti kriminal.
K.K 39 vjeç, precedent kriminal vjedhje dhe prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike.
L.V 24 vjeç, asnjë lidhje me Universitetin, precedent kriminal vjedhje.
M.A 32 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Edhe ky i fundit i dyshuar për financime nga republika Khomeniste e Iranit.
I.D 26 vjeç, precedent kriminal për veprën penale prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, pa lidhje me universitetin.
K.B 20 vjeç asnjë lidhje me universitetin, dhunë në familje, prodhim dhe shitje lëndëve narkotike, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, prodhim dhe mbajtje pa leje armeve të ftohta.
R.B 30 vjeç, precedent kriminal vjedhje dhe prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike.
M.J 28 vjeç precedent kriminal kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, asnjë lidhje me universitetin dhe ky.
N.L 28 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike pa lidhje me universitetin.
G.P 46 vjeç, goditje për shkak të detyrës, kanosje, shkatërrim i pronës, prishje rendit dhe qetësisë publike.
E.N 23 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike.
D.H 24 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndës narkotike, dhunë në familje.
E.H 19 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike.
E.A 37 vjeç falsifikim dokumentash, fshehje të ardhurash, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e personit. 37 vjeç. Çfarë studenti është ky?
E.B 27 vjeç, precedent kriminal i deportuar nga Greqia për motivin e emigracionit të paligjshëm. Asnjë lidhje me universitetin.
D.C 28 vjeç. Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt. Asnjë lidhje me universitetin.
K.Z 22 vjeç. Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Asnjë lidhje me universitetin.
E.LL 42 vjeç prishja e qetësisë publike. Kundërshtimi i punonjësit të policisë asnjë lidhje me universitetin. I dyshuar edhe ky për financime nga Republika Khomeniste e Iranit.
A.LL 52 vjeç. 23 vjet burg për vrasje me paramendim armbajtje pa leje. Liruar nga burgu në 14/2/22. Shoqëruar disa herë në polici në vitet 2022, 2024, 2025 për konflikte dhe mosmarrëveshje, dhunues shembullor në protestën studentore në thonjëza.
A.I 33 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Kundërshtimi i punonjës të policisë, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme.
O.B 21 vjeç, mbajtje pa leje armëve të ftohta. Dëmtime të tjera me dashje, asnjë lidhje me universitetin.
D.L 32 vjeç. Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Asnjë lidhje me universitetin.
B.P 39 vjeç, precedent kriminal për veprën finale penale falsifikim i letërnjoftimeve pasaportave dhe vizave. I dyshuar edhe ky për financime nga Republika Khomeiniste e Iranit.
J.G 26 vjeç, precedent kriminal për veprën penale, prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta.
A.B 42 vjeç, president kriminal për veprën penale pushtimi i tokës, organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, prishja e qetësisë publike, dy herë goditje për shkak të detyrës, lidhje me universitetin zero.