Mes lotëve, studenti i sapo diplomuar ngre alarmin për Onkologjikun: Humba nënën nga kanceri
“Nuk e ndiej se kam bërë maksimumin për të” – i sapodiplomuari në Mjekësi rrëfen dhimbjen personale dhe denoncon mungesat në trajtimet për pacientët me kancer. Ai kërkon përgjegjësi politike dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Një dëshmi e dhimbshme i është shtuar protestës së studentëve para Kryeministrisë. Një i sapodiplomuar në Mjekësi të Përgjithshme ka dalë në mbështetje të të rinjve, duke lidhur shqetësimet e tyre me problematikat që, sipas tij, vazhdojnë të rëndojnë sistemin shëndetësor, veçanërisht trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.
Gjatë prononcimit për mediat, mjeku i ri foli jo vetëm si një profesionist që kërkon përmirësimin e shërbimit shëndetësor, por edhe si një bir që ka humbur nënën nga kanceri i gjakut. Përvoja e tij familjare e bëri edhe më të ndjeshme thirrjen për të garantuar trajtimet e nevojshme për pacientët që përballen me sëmundje të rënda.
Ai ngriti shqetësimin për mungesat që, sipas tij, hasen në trajtimet e ofruara në Spitalin Onkologjik, përfshirë kimioterapitë. Në rrëfimin e tij, dhimbja për humbjen e nënës u ndërthur me ndjenjën se nuk kishte mundur të bënte gjithçka për të.
“Unë timen e kam humbur nga kanceri i gjakut dhe nuk e ndiej që kam bërë maksimumin ndaj saj, sepse ka shumë mungesa në pjesën e trajtimeve dhe kimioterapitë që ofrohen”, deklaroi ai.
“Problematikat e studentëve nuk janë adresuar”
Përveç shqetësimeve për shëndetësinë, mjeku i sapodiplomuar kritikoi mënyrën se si është trajtuar protesta studentore nga mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama.
Ai kujtoi edhe protestat e zhvilluara prej më shumë se 130 ditësh, të cilat i lidhi me lëvizjen studentore dhe reagimin e pushtetit ndaj qytetarëve që kërkojnë ndryshim. Sipas tij, protestuesit janë përballur me përbuzje, ndërsa kërkesat e studentëve ende nuk kanë marrë përgjigjet që presin.
“Unë jam i sapodiplomuar për Mjekësi të Përgjithshme. Ky ishte solidariteti që mund të ofrojmë, sepse kemi parë për mbi 130 ditë me Revolucionin e Flamingove, pamë edhe lëvizjen e studentëve që u cilësua si e dhunshme, por pamë një përbuzje që është ende sot nga pjesa e mazhorancës dhe në veçanti nga kryeministri”, u shpreh ai.
Mjeku theksoi se, sipas tij, shqetësimet e ngritura nga studentët nuk janë adresuar dhe se situata kërkon përgjegjësi politike.
“Ka ardhur momenti që të kërkojmë dorëheqjen e kryeministrit. Jemi në këto problematika sepse kjo mazhorancë nuk e ka bërë atë që duhet të bënte”, deklaroi ai.
Dëshmia e tij rikthen në vëmendje dy çështje me rëndësi publike: kërkesat e studentëve që protestojnë dhe shqetësimet për cilësinë e aksesin në trajtimet shëndetësore. Pretendimet për mungesat në Onkologjik kërkojnë verifikim nga institucionet përgjegjëse, ndërsa përvoja personale e mjekut të ri i jep një dimension njerëzor debatit mbi kujdesin ndaj pacientëve me kancer.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



