Punime në sheshin “Nënë Tereza”, “Progeen” dhe “Bami” marrin 17.5 milionë euro
Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli bashkimin e kompanive Progeen dhe Bami si fituese në tenderin me fond limit 22.5 milionë euro për ndërtimin e parkimit nëntokësor tek sheshi Nënë Tereza.
Kontrata kapitale “me çelësa në dorë” i është besuar këtij konsorciumi për vlerën përfundimtare prej 1,63 miliardë lekë pa TVSH (rreth 17.5 milionë euro).

Gara për të fituar të drejtën e transformimit të sheshit monumental, ku trafiku i makinave do të groposet tërësisht nëntokë përmes tre rampave masive me pjerrësi 15%, kishte tre oferta më të ulëta se ajo që u shpall fituese.
Tan Agolli dogji tre ofertat më të ulëta
FSHZH aplikoi në këtë procedurë kriterin e ofertës ekonomikisht më të favorshme bazuar në kosto. Kjo do të thotë se çmimi i ofruar kishte vetëm 60% të peshës së vlerësimit, ndërsa 40% e pikëve ndaheshin për kritere kritike si aftësia organizative, stafi, periudha e garancisë dhe Fondi i Sigurisë në Kantier (PSK).
Pikërisht ky sistem vlerësimi solli skualifikimin e operatorëve që kishin ofruar çmime më të ulëta:
• Bashkimi “Ferro Beton & Nova Construction Group”, ndonëse paraqiti ofertën më të lirë në tabelë (1.31 miliardë lekë), u skualifikua pasi nuk plotësoi numrin minimal të sondave të shpimit dhe vibratorëve të betonit të kërkuar.
• Kompania “Agi Kons” sh.p.k (e dyta më e lirë me 1.41 miliardë lekë) u eliminua pasi Komisioni zbuloi një tentativë për dublim kapacitetesh. Të njëjtët inxhinierë dhe kamionë me të njëjtat targa ishin deklaruar paralelisht në një tender tjetër fitues nëpër qarqe, duke thyer parimin e disponueshmërisë ekskluzive.
• Kompania 4 A-M e vëllezërve Metaliaj gjithashtu kishte një ofertë më të ulët, prej 1.6 miliardë lekësh. Kjo kompani, ndonëse nuk u skualifikua, u vlerësua me më pak pikë se sa bashkimi i kompanive Progeen dhe Bami.

Projekti
Projekti teknik i hartuar nga studiot “Tower” sh.p.k. dhe “iGroup” sh.p.k. parashikon një transformim rrënjësor arkitekturor dhe inxhinierik të Sheshit “Nënë Tereza”, duke e shtrirë atë në tre nivele kryesore nëntokësore me një sipërfaqe totale ndërtimi prej 22,078 m².

Sheshi do të shndërrohet tërësisht në zonë pedonale pa makina. Do të instalohen 3 shatërvane interaktive e lineare në nivel me dyshemenë (të ndriçuara me LED) dhe një pus vertikal me kapakë metalikë pranë Presidencës për futjen e artifakteve të rënda.
Paralelisht krijohet një shesh publik i zhytur poligonale që aksesohet me rampa e shkallë monumentale. Ky nivel përfshin Kapelën nëntokësore të Nënë Terezës (700 m²), hollin e pritjes dhe biletarinë e muzeut (500 m²) dhe një bar-restorant (340 m²). Të gjitha ambientet do të kenë fasada xhami transparente.
Ky mega-projekt parashikon ndërtimin e një strukture gjigante tre-katëshe nëntokësore që do të akomodojë një parkim me 170 vende, një muze arkeologjik prej 6000 m², hapësira shërbimi dhe një Kapelë të dedikuar Nënë Terezës.

Në katin minus 1, transferohet e gjithë infrastruktura e automjeteve. Ky kat përfshin 3 rampa zbritëse me dy korsi dhe pjerrësi 15% (në Bulevard dhe në rrugën “Lek Dukagjini”) që lidhen me një unazë qarkullimi nëntokësore. Në qendër të unazës ndërtohet parkimi nëntokësor me 170 vende.

Më poshtë, në katin minus 2 parashikohet ndërtimi i Muzeut të Madh Arkeologjik me një galeri ekspozimi prej 6,000 m² me plan të hapur (open-plan). Për lëvizjen e mallrave parashikohet një ashensor industrial me kapacitet 2,000 kg./Kapitali
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



