E premte, 23 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ik, që të ndërtojmë një Shqipëri tjetër!
Lajme

Ik, që të ndërtojmë një Shqipëri tjetër!

Publikuar nga Ergis Noka

Meqë ke filluar të dalësh me gur në dorë, po të them dy gjëra. Guri është simboli i atij që ndërton. Unë kam takuar muratorë. Nuk ka njerëz më të paqtë, më të qetë e më të mirë se ata. Por ti nuk je murator. Ti nuk ndërton asgjë. Ti vetëm shpërndan pronën publike dhe pasuritë tona natyrore te një grusht grabitqarësh.

Ti duhet të dalësh të na flasësh me një nga ato atje…

Ai është një shkop gome i thyer në shpinën e një gjimnazisti, që gazetarët tanë e kanë mbledhur në shesh.Ajo është një shishe vere që ti pije në intimitet me njerëz që janë në burg me akuza të rënda. Me 5 shishe nga këto që ke pirë me Gysin, mbulohen dëmet e bulevardit. Ai aty është buxheti i shtetit. Gjenocidi më i madh që ti i ke bërë këtij vendi. Buxhetin e shtetit ua ke lënë si plaçkë klaneve që grinden kush do të marrë llokmën më të madhe.

Nuk e di a e ke marrë vesh, se ata që ke rrotull nuk guxojnë të ta thonë: po ky është fundi. Të vetmit njerëz që të rrinë pranë e të mbështesin janë ata me dosje në SPAK. Se dhe për ta është fundi.

Por, meqë do të dalësh me gur, bën mirë që e mban atë gur me vete.

Sepse ai gur flet shumë për ty.

Ti je njeri që nuk dëgjon askënd, fiks si ai gur.

Ai gur është çfarë ke në vend të zemrës. Nuk ke as empati, as dhembshuri e as do as atdhe e as njeri, veç vetes tënde. E nise qeverisjen duke futur në burg njerëz që lidhnin një fije korrenti për ndriçim, dhe po e mbyll duke masakruar me dhunë gjimnazistë e studentë që të kërkojnë vetëm një gjë, kërkesën më demokratike në botë: jep dorëheqjen.

Në 13 vjet, ke hedhur gurin e ke fshehur dorën. Kumbullat t’i hanë gjithmonë të tjerët.

Do të duhen shumë vjet për të riparuar dëmet që i ke bërë shoqërisë, ligjeve e institucioneve shqiptare. Sepse, “Hedh budallai një gur në pus dhe 100 të mençur rropaten për ta nxjerrë”.

Çdo cikël politik ka një fund.

Një politikan i zgjuar e kupton kur është koha për të dalë nga skena. Përndryshe, e marrin para me gurë.

Dhe nuk do të jemi ne. Do të jenë ata që ke rrotull.

Ik, që të ndërtojmë një Shqipëri tjetër.

Ik, që më në fund të ndërtojmë një shtet të së drejtës e një shoqëri të denjë për në Evropë.

Sepse gur-gur, bëhet urë.

Ky vend ka pasur e ka muratorë të mirë, por, për fat të keq, është qeverisur nga egoistë që përdorin çdo mjet, duke nisur me dhunën e kartonave e duke përfunduar me shkopinj gome, vetëm për të mos na lënë të ndërtojmë.

Po, ne do t’i ndërtojmë urat. Gur-gur. Me këta të rinj që ti sot po i dhunon në bulevard.

Do të ndërtojmë shumë gjëra të bukura.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.