E diel, 25 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Plagosja në sy e Erjon Vishkullit, AMP dhe Prokuroria nisin hetimet
Lajme

Plagosja në sy e Erjon Vishkullit, AMP dhe Prokuroria nisin hetimet

Policia e Shtetit ka njoftuar nisjen e hetimeve për plagosjen e Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit që mbeti i dëmtuar në sy gjatë protestës së studentëve dhe të rinjve në Tiranë, më 24 tetor. Reagimi zyrtar vjen pas denoncimeve për përdorim të dhunës nga efektivët gjatë përballjes me protestuesit.

Sipas njoftimit të policisë, Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e plagosjes së të riut dhe për të përcaktuar nëse gjatë ndërhyrjes policore janë respektuar procedurat dhe rregullat e përdorimit të forcës.

Për të njëjtën ngjarje kanë nisur veprimet hetimore edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokuroria. Hetimet synojnë dokumentimin e plotë të incidentit dhe përcaktimin e përgjegjësive, nëse do të konstatohen shkelje.

Policia e Shtetit ka shprehur keqardhje për plagosjen e Vishkullit, duke i uruar shërim të shpejtë. Në reagim, institucioni ka përfshirë edhe qytetarët, gazetarët dhe punonjësit e policisë që u lënduan gjatë protestave në kryeqytet.

Pezullohet efektivi i “Shqiponjave” pas denoncimit në media

Një tjetër rast i denoncuar gjatë protestës ka sjellë pezullimin nga detyra të një punonjësi të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Bëhet fjalë për inspektorin A. K., ndaj të cilit, sipas njoftimit zyrtar, është konstatuar dyshimi për tejkalim të kompetencave dhe mosrespektim të parimit të proporcionalitetit gjatë ushtrimit të detyrës.

Vendimi për pezullimin është marrë pas pamjeve të transmetuara nga News24, ndërsa ndaj efektivit ka nisur një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Policia e Shtetit deklaron se çdo rast i dyshuar i shkeljes së detyrës do të trajtohet me paanshmëri dhe profesionalizëm. Institucioni thekson gjithashtu se respektimi i ligjit dhe proporcionaliteti në përdorimin e forcës duhet të jenë parime themelore në veprimtarinë e punonjësve të policisë.

Megjithatë, përgjigjet për rrethanat e plagosjes së 28-vjeçarit dhe për denoncimet e tjera të bëra gjatë protestës pritet të dalin nga hetimet e institucioneve përgjegjëse.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.