E shtunë, 28 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Food Authority Fines “Pronatyra treg” and “Redian Dobruna”, 88.9 Tonnes of Food Blocked
PUBLIK · English

Food Authority Fines “Pronatyra treg” and “Redian Dobruna”, 88.9 Tonnes of Food Blocked

This article was translated automatically from the Albanian original. 🇦🇱 Lexo në shqip

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërmarrë një seri kontrollesh në të gjithë vendin gjatë datave 26 dhe 27 nëntor 2026, duke evidentuar shkelje të rregullave të sigurisë ushqimore. Në përfundim të 128 inspektimeve janë vendosur masa administrative, janë bllokuar ngarkesa të konsiderueshme produktesh dhe është urdhëruar ndërprerja e aktivitetit të një subjekti në Berat.

Sipas bilancit të publikuar nga AKU, gjatë kontrolleve janë dhënë katër masa administrative me paralajmërim për problematika që lidhen me sistemimin e ambienteve dhe rinovimin e raporteve të provave. Ndërkohë, dy subjekte janë ndëshkuar me gjoba që kapin vlerën totale prej 400 mijë lekësh.

Konkretisht, Drejtoria Rajonale e AKU-së në Tiranë ka gjobitur subjektin “Redian Dobruna” me 100 mijë lekë, për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë së produkteve. Një tjetër gjobë, në vlerën 300 mijë lekë, i është vendosur subjektit “Pronatyra treg”, për tregtimin e produkteve ushqimore të pasigurta.

Përveç masave financiare, kontrollet kanë sjellë edhe bllokimin e dy ngarkesave ushqimore me një peshë të përgjithshme prej 88.9 tonësh. Gjatë së njëjtës periudhë janë asgjësuar 27.86 tonë produkte, me kërkesë të vetë subjekteve, ndërsa një aktivitet është pezulluar për shkak të problematikave të konstatuara.

Misri për ushqim kafshësh rezultoi me aflatoksinë B1 mbi normat e lejuara

Një prej rasteve të evidentuara nga inspektorët lidhet me subjektin “Besniku shpk”, në qarkun e Durrësit, ku janë bllokuar 25.48 tonë misër i destinuar për ushqimin e kafshëve. Ngarkesa ishte importuar përmes Pikës së Kalimit Kufitar në Hanin e Hotit dhe ishte mbajtur në ambientet e magazinimit në pritje të përgjigjeve të analizave laboratorike.

Rezultatet e ekzaminimeve kanë evidentuar se niveli i aflatoksinës B1 ishte mbi kufirin e lejuar. Për këtë arsye, AKU ka kërkuar që sasia e misrit të vijojë të mbahet e bllokuar deri në rikthimin e saj në vendin e origjinës.

Në Berat bllokohen mbi 63 tonë produkte, ndërpritet aktiviteti i subjektit

Një tjetër ndërhyrje është kryer në qarkun e Beratit, ku inspektorët e AKU-së, në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, kanë kontrolluar subjektin “Sybi Ametbeja”, që ushtron aktivitet në fushën e konservimit dhe ambalazhimit të produkteve të frutave. Gjatë inspektimit janë bllokuar 11 lloje produktesh ushqimore, me një sasi totale prej 63.422 tonësh. Masat janë marrë deri në përfundimin e analizave laboratorike, ndërsa mostrat janë dërguar për ekzaminim.

Lista e produkteve të bllokuara përfshin: 13.518,6 kg trangull marinadë; 8.624,08 kg komposto pjeshke; 1.198,08 kg salcë domate; 9.945,2 kg speca marinadë; 4.467,954 kg spec djegës; 16.503,22 kg komposto kumbulle; 1.205,54 kg komposto qershie; 947,652 kg fërgesë; 6.312,4 kg sallatë e përzier; 500 kg trahana; 200 kg uthull.

Përveç bllokimit të të gjitha produkteve dhe marrjes së mostrave për analiza, ndaj subjektit është marrë edhe masa e ndërprerjes urgjente të aktivitetit. Sipas konstatimeve të inspektorëve, shkak për këtë vendim janë bërë kushtet e papërshtatshme higjieno-sanitare në ambientet ku zhvillohej aktiviteti.

AKU bën me dije se subjekti nuk do të lejohet të rifillojë punën pa plotësuar më parë kërkesat ligjore dhe kushtet e përcaktuara brenda afatit përkatës.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e vendit, në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese, me objektiv evidentimin e shkeljeve dhe garantimin e sigurisë së produkteve që mbërrijnë te konsumatorët.

DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.