A do të guxojë Boksi të përmbysë precedentët e GJL për Veliajn?

 

Landi Çela | Publik.al | 15 qershor 2025

Prej më shumë se dy vitesh, Gjykata e Lartë nuk ka liruar nga qelia asnjë politikan të pandehur nga SPAK dhe GJKKO, duke kthyer në precedent praktikën e paraburgimit të zgjatur për zyrtarët e lartë të akuzuar për korrupsion dhe abuzim me detyrën. Kjo praktikë, edhe pse në kufijtë e një standardi të debatueshëm ligjor e etik, është bërë pjesë e logjikës së drejtësisë së re. Dhe Erion Veliaj nuk mund të bëjë përjashtim.

Por një emër i ri po hyn në qendër të vëmendjes: gjyqtarja Albana Boksi, e cila do të shqyrtojë kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ky është një test jo vetëm për integritetin e saj, por edhe për gjithë besueshmërinë e sistemit të drejtësisë shqiptare në raport me figurat politike të larta.

Kush është Albana Boksi?

E lindur në Shkodër në vitin 1974, Boksi është produkt i brezit të parë të Magjistraturës pas tranzicionit dhe një figurë me karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor. Nga Elbasani në Apelin për Krime të Rënda, e më pas në Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe sot në Gjykatën e Lartë, ajo ka kaluar pa zhurmë, por me gjurmë në dosje të rëndësishme. Procesi i Vetingut e konfirmoi në detyrë pa asnjë problem, dhe për vite me radhë është konsideruar teknike dhe e kujdesshme.

Por në vitet e fundit, Boksi ka marrë disa vendime që e kanë futur në shënjestrën e strukturave të forta si SPAK – sidomos kur në vitin 2021 ishte pjesë e trupës që rrëzoi sekuestrimin e pajisjeve të gazetarëve të Lapsi.al, duke vendosur mbrojtjen e lirisë së medias mbi etjen për të gjetur “fajtorët e databazave”. Po ashtu, ajo refuzoi kërkesën absurde të SPAK për “detyrim paraqitje” ndaj gazetarit Elton Qyno – një hakmarrje personale e kreut të SPAK Altin Dumani, e cila u zhbë deri në Gjykatën e Lartë.

Çfarë do të bëjë tani Boksi?

Dosja Veliaj është më shumë se një çështje penale. Ajo është një betejë simbolike për fatin e një modeli të të bërit politikë, që për dy dekada ka dominuar Tiranën dhe, në mënyrë më të gjerë, qeverisjen vendore. Në këtë kontekst, vendimi i Boksit do të ketë jehonë përtej sallës së gjyqit.

Pyetja që po shtrohet sot në qarqet ligjore dhe politike është: A do të sfidojë Albana Boksi linjën e pandryshuar të Gjykatës së Lartë?

Pesha e një vendimi

Ky vendim nuk do jetë thjesht për fatin penal të Veliajt. Është një test për drejtësinë që pretendon të jetë e re, e pavarur dhe e drejtë. Sepse nëse edhe Veliaj, me të gjithë makinerinë e tij politike dhe propagandistike, nuk arrin të fitojë lirinë në Gjykatën e Lartë  atëherë ndoshta diçka ka filluar të ndryshojë.

Nëse, përkundrazi, Boksi vendos të prishë precedentin dhe ta nxjerrë Veliajn nga qelia  do të duhet të jetë gati t’i japë opinionit publik jo vetëm një vendim, por edhe një arsyetim që nuk fyen inteligjencën ligjore e qytetare të këtij vendi.

Publikuar nga Publik Media