A do t’a hapë SPAK-u aferën 28 milionë euro me DH Albania?

Mbyllën dosjen e Afrim Qendros dhe Bashkim Ulajt / Prokurori Gjergji Tako i mangët edhe pas riedukimit, gjyqtari Kalia u përjashtua nga drejtësia si i korruptuar

Në vjeshtën e vitit 2018, ish kreu i ARRSH Afrim Qendro, ish kreu i OST Klodian Gradeci, shefi i tyre Damian Gjiknuri dhe oligarku Bashkim Ulaj finalizuan një aferë korruptive me vlerë 28 milionë euro përmes kompanisë false dhe fantazmë DH Albania, të kamufluar në emrin e sportelistit të Bashkim Ulajt, Avdjol Dobi.

Afera korruptive nuk ishte e zakonshme, pasi ‘ustallarët shqiptarë’ kishin falsifikuar letrat sikur kompania e tyre ishte dega në Shqipëri e kompanisë amerikane Dunwell Haberman. (Për këtë marifet, Ulaj ka një llogari të hapur me amerikanët).

Kokat e kësaj skeme korrupsioni dhe falsifikimi, oligarku Bashkim Ulaj, Afrim Qendro që firmosi një nga tenderat 18 milionë euro, Klodian Gradeci i OST dhe ish ministri Damin Gjiknuri, shpëtuan pasi SPAK nuk ishte ngritur ende.

(Gradeci u arrestua në Rinas më pas pasi akuzohej se ishte bërë pjesë e një skeme mashtrimi që shkaktoi një dëm prej 1.5 milion dollar në arkën e shtetit, por u lirua më pas dhe dosja u bitis).

Afrim Qendron vetëm sa u mor në pyetje si person që kishte dijeni, ndërsa Ulajn dhe Gjiknuri nuk u trazuan.

Dosjen për rolin e ARRSH dhe OST në skemën e korrupsionit e mbylli prokurori Gjergji Tako, në bashkëpunim me ish gjyqtarin Ardian Kalia, duke mbyllur sytë para fakteve flagrante që vishnin me përgjegjësi penale Afrim Qendron, në atë kohë kreu i ARRSH dhe Klodian Gradeci, në aty kohë kreu i OST, të cilët kishin firmosur 28 milionë euro tendera për një kompani që nuk plotësonte asnjë kriter. Pas Qendros dhe Gradecit qëndronin Damian Gjiknuri dhe Bashkim Ulaj, faktuar me letra.

Historia u mbyll me dënimin me 6 muaj burg të sportelistit të Ulajt, Avdjol Dobi, i cili në fakt nuk bëri asnjë ditë.

Mbyllja e kësaj dosje është një histori më vete korrupsioni, e cila mbetet një sfidë për SPAK-un. Ka dyshime që për mbylljen e dosjes, 4 ustallarët (Qendro, Gjiknuri, Ulaj dhe Gradeci) kanë hedhur qindra mijëra euro.

Në një përgjim të papublikuar rezulton se Bashkim Ulaj u alarmua pas publikimit të investigimit në median e Irfan Hysenbelliut.

Ulaj nisi drejt Irfanit sekserin e tij më të besuar, A. Patozi, me një çantë me para, por dëmi ishte bërë pasi faktet ishin publikuar. Fania u justifikua sikur nuk kishte dijeni. Madje, për të qenë i besueshëm, largoi drejtuesin e emisionit investigativ nga televizioni i tij News 24.

Lëvizjet janë monitoruar nga një strukturë e posaçme. Paniku i Bashkim Ulaj tregon se ai ishte koka e aferës korruptive, duke përdorur emrin e një kompanie prestigjoze amerikane.

Pasi skandali plasi, grupi u investua për të mbyllur dosjen. Dhe kështu ndodhi.

Prokurori i Gjergji Tako i mangët

Komisioni i Vetingut ndërpreu procesin e rivlerësimit për prokurorin e Tiranës, Gjergji Tako, në qershor 2022, pasi konstatoi probleme të rënda në aftësitë profesionale. Pas problemeve të konstatuara, Komisioni vendosi të pezullojë atë nga detyra për një vit dhe detyrimin e tij për të ndjekur programin e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës.

Pas ‘riedukimit’, në shtator 2023, Komisioni i Vetingut konfirmoi në detyrë prokurorin e Prokurorisë së Tiranës Gjergji Tako, pasi u njoh me rezultatet që ky i fundit kishte arritur në Shkollën e Magjistraturës.

Më 2 tetor 2024, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi në KPA vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Gjergji Tako.

Sipas Komisionerit, prokurori Tako me veprimet e tij ka cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, duke u gjendur në kushtet që mangësitë e evidentuara nuk mund të plotësohen, as nga programi i trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, siç ka vendosi më parë me vendim të ndërmjetëm Komisioni.

Në shkaqet e ngritura për profesionalizmin trajtohen 23 çështje të shqyrtuara nga Taku, ku evidentohen mangësi të theksuara.

Komisioneri Publik konstaton në disa raste mangësi në aspektin e njohurive ligjore, bazuar në tregues si aftësia e përgjithshme për të ndërmarrë logjikisht hetimin sipas kërkesave ligjore, për të mbledhur provat, si dhe në kriterin e aftësisë organizative për të kryer procedurat hetimore. Po ashtu, Ballhysa vlerëson se subkjekti ka kryer mangësi në aspektin e arsyetimit ligjor, bazuar në treguesin e cilësisë së analizës.

Në ankim evidentohen raste të mosanalizimit nga subjekti të elementëve të figurës së veprës penale. Ndërkohë, nga analizimi dokumenteve të hetimit administrativ ka rezultuar se në tre raste, Tako nuk ka kërkuar kryerjen e akt-ekspertimit klinik të lëndës së sekuestruar dhe në një rast nuk ka administruar akt-ekspertimin toksikologjik, që konsiderohen prej Komisionerit si elemente thelbësore në identifikimin e veprës penale dhe në individualizimin e përgjegjësisë së subjektit në kryerjen e saj.

Komisioneri Publik arrin në përfundimin se, shkeljet e lejuara gjatë ushtrimit të ndjekjes penale, problemet e përsëritura e të kthyera në një model pune gjatë viteve të ushtrimit të detyrës, ndikimi në veprimtarinë shtetërore i aktivitetit profesional të subjektit të rivlerësimit, rëndësia e gjetjeve të tjera, që përfaqësojnë mënyrën e të vepruarit të subjektit të rivlerësimit edhe jashtë aktivitetit profesional, duket se në tërësi kanë cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe se për këto shkaqe Tako duhet të konsiderohet i papërshtatshëm për vijueshmërinë e detyrës.

Fati i prokurorit Gjergji Tako, i cili shpëtoi kokat e aferës DH Albania do të vendoset nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Gjyqtari i Ardian Kalia, u përjashtua si i korruptuar

Kërkesën e prokurorit Gjergji Tako për mbylljen e dosjes për grupin Qendro, Gradeci dhe Ulaj u pranua nga gjyqtari Ardian Kalia në 24 janar 2020.

Në tetor 2021, Komisioni i Vetingut përjashtoi për 15 vjet nga drejtësia gjyqtarin e Tiranës, Ardian Kalia, pas vendimit të tij për të dhënë dorëheqjen, një lëvizje kjo taktike për të shmangur përballjen me Vetingun dhe ekspozimin e pasurisë.

Në vjeshtën e vitit 2014, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e kallëzoi penalisht në prokurori gjyqtarin Ardian Kalian, për deklarim të rremë dhe mungesë burimesh të ligjshme për justifikimin e pasurisë.

Sipas kallëzimit të ILDKPKI, gjyqtari Kalia nuk justifikonte një pasuri me vlerë rreth 40.000.000 lekë, ndërsa kishte bërë deklarim të rremë për kontratat e apartamenteve me vlerë 73.000 euro dhe 44.000 euro, pra për një pasuri në total mbi 500 mijë USD.

Dosja e gjyqtarit është mbyllur në heshtje nga prokuroria, ashtu siç edhe është operuar me rreth 500 dosje të tjera nga viti 2014 deri në vitin 2021.

Ndërkaq, në vjeshtë e vitit 2015, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i kërkoi Këshillit të Lartë Drejtësisë, shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Ardian Kalia për shkelje të rënda gjatë ushtrimit të funksionit.

Kërkesa u rrëzua nga KLD-ja, ashtu siç edhe operonte me dhjetëra raste të tjera, pasi KLD-ja ishte kthyer në një mburojë e praktikave abuzive në gjyqësor. Shumica e anëtarëve të KLD-së u shkarkuan nga Vetingut për pasuri të paligjshme ose dhanë dorëheqjen për t’i shpëtuar përballjes me Vetingun.

Afera Dh Albania një sfidë për SPAK-un

Kompania Dunwell Haberman u themelua më 25 qershor 2018 në Delawere të Shteteve të Bashkuara – e njohur si parajsë fiskale dhe një muaj më pas hapi degën e saj në Shqipëri, DH Albania. Ekstrakti i kompanisë në QKB tregon se përfaqësuesi në Shqipëri i saj është 28 vjeçari Avdjol Dobi.

Vetëm katër muaj pas regjistrimit, DH Albania u shpall fituese e dy tenderave të njëpasnjëshëm. Ajo fitoi lotin e parë të Unazës së Re me vlerë 18 milionë euro si dhe një kontratë rreth 10 milionë euro nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST për ndërtimin e një linje të transmetimit të energjisë për të lidhur Burrelin me Peshkopinë.

Suksesi i shpejtë i kompanisë së trumbetuar si amerikane u ngrit mbi dokumente të falsifikuara. Sipas rekordeve të dorëzuara në QKB, Dunwell Haberman pretendonte se ishte themeluar në vitin 1998 dhe se kishte një aktivitet të dendur ekonomik prej qindra milionë dollarësh në tre vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara.

Por më 6 dhjetor, emisioni “Të Paekspozuarit” në News 24 denoncoi kompaninë “fantazmë” se kishte falsifikuar dokumentet për të fituar lotin e parë të tenderit të Unazës së Re. Një përgjigje e Departamentit të Shtetit të Delaëere, e publikuar në këtë emision tregonte se dokumentet e dorëzuara në QKB ishin të falsifikuara dhe se kompania nuk mund të kishte bilanc të tre viteve të fundit, pasi nuk ekzistonte para 25 qershorit 2018.

Ekspozimi i falsifikimit solli një ortek reagimesh, ndërkohë që ARRSH dhe OST deklaruan se kishin anuluar kontratat me DH Albania.  Prokuroria e Tiranës në Shqipëri dhe autoritetet amerikane konfirmuan nisjen e hetimeve për të dokumentuar falsifikimet dhe zbuluar autorësinë e tyre.

BIRN zbuloi në një investigim se një dokument i dorëzuar në Qendrën Kombëtare tregon se njëra prej procedurave në emër të DH Albania është kryer dhe paguar nga kompania Gener 2 e oligarkut Bashkim Ulaj.

(Mandati bankar i pagesës së tarifës së QKB për hapjen e niptit sekondar tek sheshrrotullimi Shqiponja).

Pasi fitoi tenderin 18 milionë euro nga ARRSH me në krye Afrim Qendron pa plotësuar asnjë kriter, më 3 dhjetor 2018, Avdjol Dobi si përfaqësues i kompanisë DH Albania vendosi hapjen e një Nipti Sekondar në kantierin e punimeve në Unazë të Re. Ai autorizoi znj. Ledi Hysenj për të regjistruar adresën e re në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.

Një ditë më pas, Ledi Hysenj u paraqit në Bankën Credins dhe pasi pagoi tarifën prej 150 lekësh, e dorëzoi mandatin bankar në QKB. Por në vend të kompanisë DH Albania, mandati bankar për hapjen e adresës në sheshrrotullimin Shqiponja mban përshkrimin “Aplikim Gener 2”.

Avdjol Dobi është pjesë e rrethit familjar të Bashkim Ulajt, ndërkohë që e autorizuara prej tij, Ledi Hysenj është juriste në kompaninë Gener 2.

Përveç Dobit dhe Hysenj, veprime në emër të kompanisë DH Albania kanë kryer edhe noterja Xhevahire Brahaj, përkthyesja Shenda Kruja dhe juristja Blerina Konçi. Të dhënat gjyqësore që BIRN siguroi tregojnë se Brahaj ka kryer një sërë noterizimesh për kompaninë Gener 2. Shenda Kruja rezulton punonjëse e Gener 2, ndërkohë që juristja Blerina Konçi ka kryer aplikime në QKB si për DH Albania ashtu edhe për kompaninë Gener 2.

Me gjithë këto fakte, prokurori Gjergji Tako dhe gjyqtari Ardian Kalia mbyllën një nga dosjet më flagrante të vjedhjes së parave publike.

Publikuar nga Publik Media