A do të rikthejë VMRO konfliktin ndëretnik me shqiptarët pas fitores në zgjedhje?

Partia e krahut të djathtë VMRO-DPMNE pati një fitore të thellë, përballë Social Demokratëve në pushtet që pranuan humbjen përpara se të shpallej rezultati zyrtar.

Fishekzjarret ndezën kryeqytetin, ndërsa lajmet për fitoren u përhapën menjëherë.

“Unë e përgëzoj kundërshtarin tonë politik VMRO-DPMNE për këtë fitore”, tha Dimitar Kovaçevski, ish-kryeministër dhe lider i LSDM-së në pushtet.

Njoftimi madje erdhi përpara se shefi i partisë së VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri i mundshëm i ardhshëm, Hristijan Mickoski, të mbante fjalimin e tij të fitores.

Ne ia dolëm. Maqedonia fitoi. Është një fitore historike për popullin“, u tha Mickoski mbështetësve.

Komisioni shtetëror zgjedhor më vonë raportoi se VMRO-DPMNE fitoi të paktën 59 vende në Parlamentin prej 120 vendesh, me rreth 92 për qind të votave të numëruara. LSDM fitoi vetëm 19 vende, me pjesën tjetër të ndarë mes një morie partish më të vogla.

Bullgarët dhe integrimi

Suksesi i partisë nacionaliste ka të ngjarë të ketë një efekt të madh në ëndrrën e vendit ballkanik për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Mickoski ka refuzuar të pranojë emrin e ri të vendit dhe marrëveshjen historike me Greqinë në 2018, e cila ndryshoi emrin në Maqedoni i Veriut.

Udhëheqësi i opozitës është zotuar gjithashtu të qëndrojë i palëkundur në një përplasje me Bullgarinë mbi çështjet gjuhësore dhe historike, gjë që ka sjellë bllokadë nga Sofja për integrimin e Maqedonisë së Veriut.  Bullgaria ka kërkuar që Shkupi të ndryshojë kushtetutën e tij për të njohur pakicën e tij bullgare.

Në balotazhin presidencial, i cili gjithashtu u zhvillua të mërkurën, kandidatja e mbështetur nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova, do të bëhet presidentja e parë grua e vendit, pasi mundi rivalin e vjetër Stevo Pendarovski, presidentin aktual.

“Urimi im më i madh shkon për qytetarët”, tha ajo për mediat në selinë e partisë VMRO-DPMNE.

Minoriteti shqiptar

Në prag të zgjedhjeve të së mërkurës, Mickoski përdori një gjuhë gjithnjë e më agresive ndaj partisë më të madhe shqiptare të vendit, BDI-së, duke nxitur ankthin se retorika mund të minojë marrëdhëniet e brishta ndëretnike.

Shqiptarët përbëjnë më shumë se një të katërtën e popullsisë prej 1.8 milionë banorësh të vendit dhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti udhëhoqi një revoltë të shkurtër të armatosur për të drejta më të mëdha për shqiptarët në vitin 2001.

Që nga shpallja e pavarësisë nga Jugosllavia në vitin 1991, qeveritë e njëpasnjëshme kanë ndjekur një rregull të pashkruar që një parti etnike shqiptare duhet të përfshihet në koalicionin qeverisës.

BDI, së bashku me një aleancë të partive të pakicës, duket se do të marrë numrin më të madh të votave të shqiptarëve, pavarësisht se Mickoski akuzoi liderët e saj për korrupsion.

“Sa herë që them të vërtetën e shtrembërojnë si sulm ndaj shqiptarëve”, tha Mickoski.

Pavarësisht pengesave drejt anëtarësimit në BE, shumë votues mbetën me shpresë se Maqedonia e Veriut do t’i bashkohet bllokut në të ardhmen. / “France 24”

Publikuar nga Publik Media