Ben Blushi: Pata frikë të bëja ritualin e rrotullimit rreth Qabesë !
A ka fluturuar Muhamedi nga Meka në Jerusalem me Burak?!
Në bashkëbisedimin me maturantët, në Festivalin Letrar Shqiptar, shkrimtari Ben Blushi e përshkroi të shkruarit si një përvojë të vështirë, por njëkohësisht si një zgjedhje që pasuron jetën. Ai foli për suksesin e librave të tij, debatet publike që e kanë shoqëruar dhe i këshilloi të rinjtë të shkruajnë, duke theksuar se letërsia duhet të prekë temat e mëdha të jetës.
Të shkruarit është torturë. Kështu do t’u thoshte të rinjve shkrimtari Ben Blushi në bashkëbisedimin e tij në Festivalin Letrar Shqiptar. Një lloj etheje që nuk të lë as të flesh e as të zgjohesh i qetë. “Unë kam 30 vjet që e jetoj këtë gjendje dhe ajo nuk më ka lënë asnjë ditë”, tha ai, duke pranuar se letërsia e ka shtyrë të lërë shumë gjëra të tjera në jetë. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, ai theksoi se shkrimi e bën jetën më të pasur, edhe kur nuk të shpërblen lehtë.
I ftuar në edicionin e dytë të Festivalit Letrar Shqiptar, organizuar nga Fondacioni UET PRESS autori i dhjetë librave foli edhe për xhelozitë e shkrimtarëve, që siç theksoi ai, në një vend të vogël si Shqipëria janë të lodhshme…deri në pikën që nuk të lodhin më. Që nga viti 2008, kur botoi romanin “Të jetosh në Ishull”, Blushi renditet ndër autorët më të shitur të pas ’90, ku me të dhënat nga botuesit e tij numëron afro njëqind mijë kopje të shitura.
Para se të shkruanit librin “Jam Mysliman”, ju keni qenë në Mekë, por keni vendosur të mos merrni pjesë në ritualin e Qabesë. A jeni penduar për këtë? Dhe nëse jo, çfarë ishte ajo frikë që ju ndaloi?
Është një histori shumë interesante. Para dy ose tre vitesh isha në Arabinë Saudite, i ftuar në një panair libri. Shkova fillimisht në Jeddah, qyteti portual ku dikur zbarkonin pelegrinët që vinin me anije për të vazhduar më pas drejt Mekës, rreth 50 kilometra më larg. Edhe unë ndoqa të njëjtën rrugë: fillimisht panairi në Jeddah, pastaj udhëtova për në Mekë.
Shkova me shumë paragjykime, sepse në përgjithësi nuk kam ndonjë afeksion për ritualet fetare. Por, për hir të së vërtetës, më pëlqeu atmosfera. Ishte një ditë e zakonshme, jo ndonjë festë e madhe fetare, dhe megjithatë aty mund të kishte rreth 50 mijë njerëz. Në ditë të tjera numri mund të arrijë qindra mijëra.
U futa edhe unë në atë turmë, duke bërë fotografi, sepse tani merrem shumë me fotografi. Për të arritur te Qabeja kalon disa porta dhe kontrolle. Nuk janë vetëm kontrolle sigurie; janë edhe një lloj filtrash psikologjikë. Ke gjithmonë mundësinë të ndalosh veten para se të shkosh deri në fund. Dhe unë pikërisht këtë bëra.
Nuk hyra në ritualin e rrotullimit rreth Qabesë, sepse nuk doja. Mendova me vete: “Po sikur kjo eksperiencë të më ndryshojë? Po sikur të më krijojë një ndjenjë që nuk e njoh?” Dhe pata frikë nga kjo ide. Jo frikë fetare, por frikë nga transformimi i brendshëm. Mendova: “Pse duhet të bëhem mysliman? Jam mirë kështu si jam.” Dhe vendosa të mos e bëj ritualin.
E gjithë kjo eksperiencë u bë më pas thelbi i romanit “Jam Mysliman”, i cili në masë të madhe bazohet në përjetimet e mia në Mekë, në faktin që shkova deri aty, por njëkohësisht nuk shkova plotësisht. Megjithatë, bëra disa fotografi dhe njërën prej tyre e postova në Facebook. Sapo e publikova, mora qindra e mijëra komente fyese. Shumë besimtarë shqiptarë më akuzuan se kisha hyrë në Mekë “si diversant”, sepse e dinin që nuk jam mysliman praktikues.
Por historia nuk mbaroi aty. Disa prej tyre dërguan edhe letra anonime në ambasadën saudite kundër meje. Dhe kjo pati pasoja reale. Para pak muajsh isha i ftuar sërish në Arabinë Saudite, por ftesa m’u anulua në momentin e fundit. Kam pasur jo pak pasoja nga ky libër. Nëse “Jam Mysliman” nuk do të ishte botuar, ndoshta sot do të vazhdoja të udhëtoja atje. Por libri u perceptua nga disa si provokim ndaj Islamit dhe ndaj Mekës, dhe kjo krijoi reagime të forta. Për fat të mirë nuk më kanë vendosur fatëa, por nuk mund të shkoj më në një vend kaq të bukur sa Arabia Saudite.
Unë ende nuk kam pasur mundësi ta lexoj librin, megjithëse kam pasur shumë dëshirë, sepse edhe titulli është mjaft kontrovers, sidomos për mua që jam myslimane. Më ka shqetësuar mënyra si e keni trajtuar fenë. Nuk mund ta gjykoj librin pa e lexuar, por doja t’ju pyesja: titulli “Jam Mysliman” është zgjedhur për marketing apo sepse ashtu e keni ndjerë? Dhe pse jeni shprehur se kishit frikë se mos bëheshit mysliman?
Po më fal, pse të duket kontrovers titulli? Libri quhet “Jam Mysliman” dhe ti vetë je myslimane. Pse duhet të të shqetësojë kjo? Në fakt, ti nuk e ke lexuar ende librin, kështu që ndoshta titulli të krijon një ide që nuk është domosdoshmërisht ajo që përmban libri. Ndryshe nga ju që besoni, unë kam frikë nga Zoti. Dhe po, e them seriozisht: kam frikë, sepse mendoj se besimi mund të të ndryshojë rrënjësisht. Mua më tremb ideja e dorëzimit total ndaj një force më të madhe se vetja. Prandaj them se kam frikë ti dorëzohem një qenije që sipas meje nuk egziston.
Titulli nuk është zgjedhur për provokim, përkudnrazi. Libri tregon historinë e një ateisti, një njeriu si unë, që jeton në rrugën e Kavajës, në një komunitet të mbushur me myslimanë të zakonshëm, njerëz të qetë dhe të dashur, me të cilët unë bashkëjetoj çdo ditë. Dhe ky personazh, pas përvojës së tij në Mekë dhe pas gjithë marrëdhënies me komunitetin ku jeton, në fund ndryshon. Ai përjeton një lloj transformimi të brendshëm dhe në fund shkruan në Facebook: “Jam Mysliman”. Prandaj libri ka këtë titull. Nuk është një titull spekulativ, buron nga historia që rrëfehet në roman.
Më ka pëlqyer shumë mënyra si është shkruar libri “Jam Mysliman”, sidomos mënyra si luani me kufirin, pa kaluar në ofendime. Pyetja ime është: çfarë keni dashur të thoni me episodin ku Ali Baba blen një palë tespi për tënumëruar hallet, kur në traditën islame përdoren për numërimin e lutjeve dhe falënderimeve ndaj Zotit?
Ajo është një metaforë. Unë besoj se për shumë njerëz tespijet janë edhe një mënyrë qetësimi, një lloj relaksi. Kam një mik që sa herë udhëtoj jashtë më thotë: “Më bli një palë tespi.” I ndërron shpesh, sidomos kur është në stres. Sa më shumë stres ka, aq më shpejt i lëviz rruazat. Madje edhe shumë grekë, që nuk janë myslimanë, mbajnë tespi. Pra, ajo e ka kaluar funksionin fetar dhe është bërë edhe një objekt zakoni apo qetësimi.
Tani, dua të them diçka tjetër. Ti je i ri dhe fakti që je mysliman nuk ka asnjë problem për mua. Unë nuk kam asgjë kundër myslimanëve dhe këtë e kam shkruar edhe në libër. Ajo që më shqetëson është kur beson që Muhamedi ka fluturuar nga Meka në Jerusalem. Pse? Sepse për shkak të këtij fluturimi, që rreth 1 miliard njerëz si ti e besojnë, në Lindjen e Mesme vriten sot çdo ditë fëmijë. Pse vriten fëmijë? Sepse disa njerëz besojnë që Muhamedi u ngrit në qiell me një kafshë që s’ishte as kalë as gomar, pra një kafshë hyjnore, e sajuar që quhej Burak. Kjo është fatkeqësi e madhe, që bota vazhdon të besojë. Ne nuk mund të besojmë këto gjëra. Nëse e zhvishni fenë nga këto, do të jeni besimtarë shumë të mirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


