Armand Shkullaku
Një furtunë tre ditore në gotë, që fanepset sa herë që Erion Veliaj shpreson për ndryshimin e masës së arrestit, ka prodhuar një situatë komike, sidomos në disa studio televizive, ku media dhe mediatikë të pushtetit ankohen e thërrasin se drejtësia e re, e veçanërisht SPAK, kontrollohen politikisht nga… opozita. Sipas tyre, këto organe kanë frikë kur bërtet Berisha dhe i lirojnë dhëndrrin dhe nuk pyesin për Edi Ramën kur i arrestojnë të vetët. Kjo tezë, sa qesharake aq edhe haluçinante, pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë për Erion Velinë, rrëshkiti drejt përçartjes totale ndërsa rasti i këtij të fundit u servir si diktat i Dumanit mbi mazhorancën, standart i dyfishtë i SPAK- i ashpër me rilindjen dhe tolerant me opozitën- e deri si shenjë e qartë e dështimit të reformës në drejtësi.
Që SPAK ashtu si dhe organet e tjera të drejtësisë së re, janë të kontrolluara dhe të dirigjuara politikisht, ky tashmë është një fakt evident. Madje edhe në rastin e Erion Velisë. Por situata komike e përmendur më lart nuk buron nga ky fakt, por nga absurdi ku gjendet të ngërthyer mbrojtësit e kryetarit të burgosur të bashkisë. Ata janë edhe me Erionin por edhe me Edi Ramën. Në pamundësi për të shqiptuar të vërtetën e thjeshtë se SPAK kontrollohet politikisht nga njeriu që ka në dorë gjithë pushtetet në Shqipëri, ata kanë zbuluar se “heronjtë e fëmijëve tanë” kanë frikë kur shan Sali Berisha.
Me shumë gjasë, pjesa dërrmuese e propagandistëve të rilindjes që artikulojnë këtë tezë nuk i besojnë as vetë. Dikush nga një lloj detyrimi moral ndaj Velisë e dikush nga shpresa e rikthmit të tij në detyrë e për pasojë edhe e pagesave të lehta, duhet të thonë diçka në mbrojtje të tij. Dhe e vetmja gjetje, që edhe Veliajt t’i shërbehet sa mundet edhe Rama mos lëndohet, është kjo e kontrollit politik të Berishës mbi drejtësinë e re.
Gjendja nuk është aspak e mirë dhe bëhet edhe më shumë qesharake, kur ata që pretendojnë këtë ndikim të Berishës mbi SPAK, gjykatat speciale e deri Gjykatën e Lartë nuk thanë asnjë fjalë kur të gjitha këto instanca shkelën hapur kushtetutën duke marrë masë ndalimi ndaj kreut të opozitës pa miratimin e Kuvendit. As kur ai u privua nga e drejta bazë e një të zgjedhuri për të qenë në Kuvend, i izoluar për një vit rresht në arrest shëtpie. Për kontroll politik të drejtësisë nuk u fol as kur një deputet u dënua me burg se denoncoi vëllain trafikant të një ministri të rilindjes. Dashnorët e drejtësisë së pavarur nuk u ndjenë as kur u tërhoq zvarrë e u plas në qeli ish kryeministri dhe ish presidenti, i dyshuar për krime të ndodhura mbi një dekadë më parë. Madje për shumë prej tyre ishte normale që për skandalin e patronazhistëve, SPAK të sulej në zyrat e kolegëve të tyre dhe jo në ato të partisë së kryeminsitrit.
Më paradoksale tingëllon teoria e ndikimit apo kompleksimit të SPAK nga Berisha, kur ata që e artikulojnë, madje edhe vetë Veliaj, deri para arrestimit kishin vetëm një shqetësim: a do e lëshonte Rama delfinin e tij apo jo? Pra ishin të bindur se fati i tij varej vetëm nga vullneti i Edi Ramës dhe jo nga presioni i opozitës, me të cilën talleshin sa herë protestonte para Bashkisë. SPAK e mori në “dorëzim” Velinë, vetëm pasi lideri maksimal e zhveshi nga fuqia politike, e retushoi nga fotografitë publike dhe i hoqi mbështetjen mediatike. Fakt është që për Velinë, ajo furtuna tre ditore ndodh vetëm në mediat e kategorisë së dytë, që në pamundësi për të qenë lojtarë në fushën e madhe, janë kënaqur deri dje me lopën e Bashkisë. Mediat e mëdha e trajtuan rastin Veliaj thjesht si lajm të kronikës, duke e ditur se një kurban i tillë nuk shkon pa “leje nga lart”.
Loja e vërtetë e kontrollit mbi SPAK nuk ka të bëjë me fatin personal të Velisë, Ahemtajt apo ndonjë zyrtari tjetër të lartë nesër. Ato janë kokat me të cilat ushqehet pushteti i gjatë i një njeriu të vetëm. Përsa kohë SPAK dhe drejtësia e re nuk hetojnë procedurat e aferave korruptive, por të brendshmet e grave dhe pllakat e banjove, kokat e erjonvelirave janë thjeshtë statistikë për raportet e Dumanit. Përsa kohë SPAK dhe drejtësia e re nukvepron ndaj bandave që masakrojnë zgjedhjet dhe zyrtarëve që blejnë vota ditën për diell, çfarë rëndësie ka se kush e ka radhën nga shokët e Ramës.
Erion Velinë mund ta paraqesin si viktimë të inatit të një prokurori, si hakmarrje të Dumanit apo kompleksimit të drejtësisë nga Berisha, por në fund të gjithë e dinë se ai nuk do të ishte sot në qelitë e burgut të Durrësit pa vullnetin e një njeriu. Të atij që kontrollon gjithçka, përfshi edhe vetë ata që janë të mërzitur nga ikja e ‘njeriut të punës” që mendonte edhe për ta./lapsi.al