E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A nuk tallën kështu  “veglat” me drejtësinë dhe Gjykatën Kushtetuese ?!
Lajme

A nuk tallën kështu “veglat” me drejtësinë dhe Gjykatën Kushtetuese ?!

Naim Noka

Vendimi i fundit i mazhorancës socialiste për të abstenuar në votimin mbi çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës nuk përbën thjesht një manovër politike të zakonshme, por një puç të pastër kushtetues që sfidon vetë thelbin e një shteti demokratik dhe ligjor. Kur vetë Kuvendi, institucioni më i lartë legjislativ i vendit, vendos të injorojë dy herë radhazi Gjykatën Kushtetuese – gurin themeltar të mbrojtjes së kushtetutës – atëherë ne jemi përballë një situate që fshin kufijtë midis demokracisë dhe regjimit.

Ky akt është një përpjekje për të varrosur përfundimisht Reformën në Drejtësi. Kjo është e vërteta e hidhur për çdo qytetar shqiptar ku kushtetuta  dhe shteti i së drejtës u katandis sipas tekave të Edi Ramës. Abstenimi i 65 deputetëve të mazhorancës, një lëvizje që në pamje të parë duket formalisht neutrale, është në fakt një akt i qëllimshëm për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbrojtur interesat personale të njërit prej të tyre.

Kryeministri Edi Rama dhe partia e tij socialiste nuk e fshehin më kontrollin absolut që kanë mbi të gjitha shtyllat e shtetit. Kur shkelet hapur Kushtetuta dhe vendimet e gjykatave nuk ke çfarë pret më për shter ligjor. Edi Rama nuk po udhëheq më një vend demokratik, por një “shtet personal,”  ku interesat e bashkëpunëtorëve politikë janë mbi çdo ligj dhe parim kushtetues.

Pretendimi i Elisa Spiropalit se Kuvendi ka ndjekur procedurën kushtetuese dhe se do të kërkojnë opinion nga Komisioni i Venecias është thjesht një teatër politik për të shtyrë përgjegjësinë dhe për të manipuluar opinionin publik. Në realitet, çdo shqiptar e kupton se kur Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese injorohen, nuk ka më nevojë për opinione të jashtme. Pushteti në Shqipëri nuk kërkon legjitimitet ligjor; ai kërkon vetëm mbijetesë politike, dhe kjo mbijetesë sigurohet përmes kontrollit dhe heshtjes.

Kjo situatë është një shfaqje e qartë e asaj që ndodh kur një parti politike ndjen se është e paprekshme. Dhe në këtë rast, Partia Socialiste po e bën të qartë për të gjithë se është e gatshme të shkelë çdo normë dhe parim për të mbrojtur interesat e saj. Shqipëria, fatkeqësisht, po zhytet gjithnjë e më shumë në një autokraci të re, ku demokracia është thjesht një maskë dhe drejtësia një lojë politike.

Shqipëria nuk ka më asnjë dallim me regjimet autoritare, dhe nuk është  ekzagjerim. Ky është realiteti që po përballemi sot – një shtet ku vendimet politike kanë zëvendësuar të drejtën dhe ligjin, dhe ku Gjykata Kushtetuese është thjesht një institucion formal pa asnjë autoritet real. Por  kësaj radhe nuk është në lojë  vetëm  mandati  i një deputeteje por bjerrja e  gjykatës,  që mbron themelet dhe shtyllën e shtetit tonë. Edhe diktatorët nuk kanë guxuar të poshtërojnë formalisht KUSHTETUESEN. Rama dhe socialistët që po tallin “veglat” me drejtësinë dhe Gjykatën Kushtetuese do mbeten në histori si hajna të neveritshëm. Nuk po flas aspak për “nderin e humbur” për  9 anëtarët e Kushtetueses para kaçurrelave të Olta Xhaçkës  dhe  burrit të saj si investitor strategjik me tokë të vjedhur në bregdetin e Himarës. Nga vendimet e tyre pro qeverise nuk besoj se  anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mund të japin dorëheqjen dhe të mbrojnë emrin, shtetin dhe integritetin  e tyre profesional. Jo, ata mezi vajtën aty, kanë një rrogë të mirë dhe kanë marrë premtimin nga “Shefi”  se do t’u ngrihet më shumë rroga!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.