A P për ndeshjen me Serbinë: Sporti nuk është thjesht një lojë

Associated Press| Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë, e planifikuar të luhet këtë të shtunë,  ka përfunduar në faqet e para të mediave botërore. Së fundmi, agjencia amerikane e lajmeve, “Associated Press”, ka bërë një artikull mjaft interesant.

“Në 2014, Shqipërisë iu dha fitorja 3-0 pas një vendimi që theksonte se loja nuk mund të vazhdonte për shkak të atmosferës armiqësore në stadium. Kjo fitore siguroi kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Evropian 2016 — hera e parë në histori për kombëtaren shqiptare”.

“Edhe përpara ndeshjes, ajo përballje ishte cilësuar me rrezik të lartë. Kosova, e cila ka një popullatë me shumicë shqiptare, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 — një akt që Serbia nuk e njeh. Futbolli, shpesh pasqyrë e nacionalizmit dhe politikës, pasqyroi këtë ndarje të thellë”.

“Serbia dhe Shqipëria vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje për statusin e Kosovës tashmë të pavarur, dhe rivaliteti midis tifozëve mbetet i zjarrtë”.

“Pothuajse gjysma e skuadrës shqiptare përbëhet nga lojtarë me origjinë shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo Serbia jugore”.

“Për lojtarët, kjo është një ndeshje e mbuluar nga hija e historisë, politikës dhe krenarisë kombëtare — një kujtesë se nganjëherë sporti nuk është thjesht një lojë”, shkroi “AP”.

Në lidhje me ndeshjen ka folur edhe mbrojtësi Elseid Hysaj, i cili ishte pjesë e ndeshjes së tetorit të vitit 2014, ku tha se kaosi “nuk duhet të përsëritet”.

“Duhet të jemi të qetë dhe të vetëdijshëm se jemi futbollistë. Jemi këtu për të kënaqur tifozët dhe për të dhënë më të mirën për fitoren”, tha Hysaj për “AP”.

Për përballjen, pashmangshëm ka folur edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili edhe një herë u bëri thirrje shqiptarëve që ndeshjen ndaj Serbisë ta shohin si një ngjarje sportive, ku “ekipi merr mbështetje dhe energji pozitive nga tifozët për ta arritur qëllimin”.

“Lojtarët nuk bartin barrën e historisë apo të tensioneve politike. Ata konkurrojnë në fushë për të fituar, për të dhënë më të mirën për fanellën që përfaqësojnë dhe, mbi të gjitha, për të ndërtuar ura respekti përmes lojës”, tha Duka për “AP”.

“Associated Press” përmendi edhe deklaratën e siç e quajtën ata, “presidentit populist” të Serbisë, Alleksandar Vuçic, i cili sipas tyre, ka shtuar tensionin duke i thënë trajnerit të Serbisë, Dragan Stojkovic, në një tubim të madh të mbështetësve të tij, se Serbia “duhet të fitojë.”

“Shkoni atje dhe mundini”, i tha Vuçici Piksit, nofka e trajnerit të Serbisë, i cili ishte në turmë, shkruan “AP”.

Ndërsa, sipas “AP”-së, Stojkovic dhe disa lojtarë kanë tentuar të zbusin tensionet, duke thënë se kjo është vetëm një ndeshje tjetër.

“Të gjithë thonë se ndeshja e parë është shumë e rëndësishme. Jemi shumë të përqendruar për ta nisur ashtu siç duam dhe do të përgatitemi të luajmë sa më mirë që mundemi, me gjithë respektin për Shqipërinë”.

Publikuar nga Publik Media