Abuzim i frikshëm me çmimet e rrjetit “Rossmann&Lala” në Shqipëri
shumë herë më të larta se në Gjermani
Rrjeti i kozmetikës dhe produkteve të kujdesit personal “Rossmann&Lala” prej vitesh është një prej markave më të përhapura në tregun shqiptar, duke ofruar produkte të njohura ndërkombëtare në qytetet kryesore të vendit.
Një qytetar ka denoncuar rrjetin e kozmetikës “Rossmann&Lala” duke e krahasuar me dyqanet e kësaj marke në Gjermani.
1 JANAR 2026 | AKTUALITET
Një denoncim i mbërritur në redaksi hedh dritë mbi një diferencë alarmante çmimesh në rrjetin e kozmetikës dhe produkteve të kujdesit personal Rossmann&Lala në Shqipëri, krahasuar me dyqanet e së njëjtës markë në Gjermani.
Sipas qytetarit denoncues, produkte identike – të së njëjtës markë, sasi dhe përbërje – shiten në tregun shqiptar me çmime ndjeshëm më të larta, në disa raste disa herë mbi çmimin që aplikohen në Gjermani. Krahasimet e bëra mes faturave dhe etiketave të produkteve ngrenë dyshime serioze për abuzim me konsumatorin shqiptar.
Rrjeti “Rossmann&Lala” prej vitesh është shtrirë gjerësisht në qytetet kryesore të vendit dhe reklamohet si ofrues i produkteve ndërkombëtare me standarde europiane. Megjithatë, ky denoncim vë në pikëpyetje politikën e çmimeve dhe transparencën ndaj klientëve, veçanërisht në një kohë kur fuqia blerëse e qytetarëve shqiptarë mbetet dukshëm më e ulët se ajo e vendeve të BE-së.
Qytetari ka dërguar pamje video ku krahasohen konkretisht çmimet e produkteve të njëjta në Shqipëri dhe në Gjermani, duke theksuar se diferenca nuk justifikohet as nga transporti, as nga taksat, e as nga kostot e tjera operative.
Rasti pritet të ngjallë reagim të gjerë publik dhe kërkon vëmendjen e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit dhe konkurrencën, për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me shkelje të ligjit apo praktika tregtare të padrejta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



