22 Maj 2025 – Publik.al
Dënimi i Aurel Zarkës dhe avokatit Radovan Çela nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin nuk është një ngjarje e zakonshme. Është pranim zyrtar nga vetë drejtësia shqiptare se korrupsioni nuk është më vetëm një fenomen por një sistem. Një sistem ku gjyqtarët dhe prokurorët shiten dhe blihen, ku dosjet nuk hetohen, por mbyllen me kujdes. Pyetja që ngrihet natyrshëm është: po gjyqtarët dhe prokurorët që u korruptuan, kush janë?
Deri më sot, publikut nuk i është treguar asnjë emër i këtyre funksionarëve të drejtësisë që, sipas SPAK, kanë pranuar favore nga Zarka dhe Çela në këmbim të vendimeve të manipuluara për çështje si “Toyota Yaris” dhe pasuritë e sekuestruara të Suel Çelës.
SPAK ka deklaruar zyrtarisht se ka ndarë një procedim tjetër për të vijuar hetimet për personat e përfshirë, por nga korriku i vitit të kaluar e deri më sot, kjo dosje ka rënë në heshtje. Asnjë njoftim, asnjë emër, asnjë zhvillim i ri. Të vetmit që po dënohen janë ata që u kapën duke “ofruar” ryshfetin, por jo ata që e morën.
Heshtje. Përsëri heshtje. Dhe më shumë heshtje.
Burime konfidenciale, të cilat kanë akses në dosjen hetimore, i kanë konfirmuar redaksisë së Publik.al se në komunikimet e përgjuara përmes SKY ECC, përveç Zarkës dhe Çelës, shfaqen edhe disa nga emrat më të fuqishëm të sistemit të drejtësisë, emra që vijojnë të mbajnë poste të rëndësishme edhe sot. Përfshirja e ish-oficeres së OFL-së, Eriona Dautaj, e lidh drejtpërdrejt këtë aferë me qarqe të politikës dhe diplomacisë shqiptare, pasi sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ajo është strehuar në ambientet e ambasadës shqiptare në Zvicër, nën “mbrojtjen” e kunatit të saj, ambasadorit Fate Velaj.
Përse SPAK nuk e thërret ambasadorin Velaj për të dëshmuar? Pse nuk merret në pyetje Eriona Dautaj? Kush po mbron këtë strukturë të kalbur nga brenda?
Dënimet që u dhanë javën e fundit, ndonëse të bujshme në dukje, mund të rezultojnë një farsë, nëse çështja mbyllet me një “procedim të ndarë” që as hetohet, as publikohet. Nëse nuk preken gjyqtarët dhe prokurorët që janë bërë pjesë e pazarit, atëherë nuk kemi drejtësi kemi teatër.
Dhe kur edhe SPAK, institucioni që u krijua për të rrëzuar kastën e vjetër të korrupsionit, fillon të sillet si pjesë e së njëjtës kastë, problemi nuk është më vetëm ligjor. Është thellësisht moral dhe politik.
Në një nga përgjimet e famshme të kësaj dosjeje, oficerja Dautaj shkruante: “Unë, Radovani dhe Zarka nuk punojmë për vlera qesharake. Ne duam Champions League.”
Mesa duket, në këtë “Champions League të Korrupsionit”, shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë pjesë e skuadrës vetëm se emrat e tyre ende nuk janë zbuluar. Por kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë.
Publiku meriton përgjigje. Dhe nëse drejtësia nuk i jep, ne do vazhdojmë të pyesim:
Kush janë emrat që po mban peng SPAK?