Aferat e Ballukut, opozita gati për “çadrën 2.0” tek Kryeministria
Opozita nis sot një fazë të re të aksionit politik, me një protestë përballë Kryeministrisë, të cilën Sali Berisha e prezanton si hyrjen në një model të ri rezistence, që po cilësohet “Çadra 2.0”. Tubimi do të zhvillohet në orën 18:00 dhe, sipas Partisë Demokratike, protesta do të ketë karakter të përjavshëm, me pjesëmarrje të deputetëve dhe qytetarëve që do të mbajnë fjalime publike.
Shkak i këtij përshkallëzimi, sipas PD-së, janë aferat korruptive që lidhen me Belinda Ballukun, mes të cilave spikat çështja e tunelit të Llogarasë, me një vlerë të përllogaritur rreth 50 milionë euro, ku ish-ministrja është marrë e pandehur nga SPAK. Demokratët e konsiderojnë këtë një nga skandalet më të rënda qeveritare të viteve të fundit.
Përveç dosjes së Ballukut, opozita akuzon mazhorancën për ngushtim ekstrem të hapësirave të fjalës në Kuvend. Sipas demokratëve, seancat parlamentare po zhvillohen pa debat real, duke bllokuar rolin kushtetues të opozitës.
Një ditë para protestës, Berisha shkroi në Facebook:
“Partia Demokratike ndërmerr hapin më të rëndësishëm kundër narkoparlamentit të kontrolluar nga Ramaduro. Fillimi i platformës parlamentare, përpara Kryeministrisë! Parlamenti kalon qeverinë, programin dhe buxhetin pa debat, ndërsa opozita lejohet të flasë vetëm 1 herë në 9 seanca!”
Selia blu pretendon se ky është moment vendimtar në luftën politike me qeverinë dhe se përballja në bulevard mund të shndërrohet në formë të qëndrueshme proteste, ngjashëm me protestën e njohur të çadrës së vitit 2017.
Ende nuk dihet sa do të zgjasë ky aksion dhe nëse protesta e sotme do të kthehet realisht në një çadër të re kundër qeverisë Rama, por vëmendja politike është e përqendruar te dinamika që do të pasojë në ditët e ardhshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



