“Agron Malaj, njeriu kyç që di kush e dha urdhrin e 21-Janarit”
Gazetari Denis Dyrnjaja ka komentuar zhvillimet e fundit të hetimeve të SPAK për ngjarjen e “21 Janarit”, duke hedhur dritë mbi rolin e një figure që sipas tij është “hallka kyçe” për zbardhjen e vërtetës.
Në një intervistë për “TPZ”, Dyrnjaja tha se personi që mund të ndihmojë hetuesit të zbulojnë urdhëruesit e vrasjeve të katër protestuesve është Agron Malaj, ish-gardist i njësisë së zjarrit, i cili sot është deputet i Partisë Socialiste.
Sipas tij, Malaj është personi që “ose mori urdhër, ose di kush e dha atë”, dhe prania e tij në hetim është thelbësore për të kuptuar mënyrën si u morën vendimet për hapjen e zjarrit ndaj protestuesve.
Dyrnjaja theksoi se fakti që Malaj, dikur pjesë e strukturës së Gardës së Republikës, është sot deputet i mazhorancës, e bën edhe më të çuditshëm pozicionin e tij.
“Kjo çështje ka disa prizma ku mund të kapet. Po përjashtoj elementin politik. Mendoj se një hallkë kyçe në këtë hetim, është Agron Malaj, komandanti i njësisë speciale për grupin e zjarrit. Sot është deputet i PS, ky është paradoks më vete. Njeriu që drejtonte strukturën e Gardës së Republikës, e futi Rama në sqetull. Nuk dihet pse ka ndodhur kjo gjë.
Personi që mori urdhër, zbatoi urdhër ose e di kush dha urdhër, në çfarë kohe u dha urdhër, njeriu që është kyç sipas meje, që duhet të zbardhë të vërtetat, është Agron Malaj, një njeri që duhet të zbërthehet. Të dhënat na çojnë që ky njeri është pikë kyçe për të kuptuar si ka vepruar, në kohë vonesë, në kohë reale, me apo pa urdhër grupi që hapi zjarr ndaj protestuesve. Si kaloi ky njeri nga krahu që ishte në frontin e grupit të komanduar, se ka pranuar se është grupi i zjarrit, kanë bërë stërvitje për të shtënë me armë zjarri, pasi kishte indikacione që protesta do të ishte e dhunshme… Në këtë kontekst, një njeri që ka kapërcyer ylberin dhe ka kaluar në krahun e Ramës, quhet Agron Malaj”, u shpreh Dyrnjaja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



