E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
AKSHI dhe KPP vazhdojnë të favorizojnë kompanitë e Ermal Beqirit
Lajme

AKSHI dhe KPP vazhdojnë të favorizojnë kompanitë e Ermal Beqirit

Edhe pse SPAK ka dokumentuar ekzistencën e një grupi kriminal të strukturuar, i cili dyshohet se ka urdhëruar rrëmbime biznesmenësh dhe i ka shtrënguar ata të tërhiqen nga gara publike përmes kërcënimeve, praktikat e prokurimit nga AKSHI, në koordinim me Komisionin e Prokurimeve Publike, vijojnë të ngjallin dyshime serioze për favorizim të vazhdueshëm të kompanive të lidhura me Ermal Beqirin, si dhe subjekte të tjera të kontrolluara indirekt prej tij.

Ermal Beqiri është shpallur në kërkim dhe konsiderohet nga organet e hetimit si një prej figurave kyçe të këtij grupi kriminal, në bashkëpunim me Ergys Agasin. Megjithatë, pavarësisht këtij statusi penal, kompanitë e lidhura me të vazhdojnë të shfaqen fituese në një sërë procedurash të rëndësishme publike.

Më poshtë paraqiten disa raste konkrete, që ilustrojnë mënyrën se si këto procedura prokurimi, të zhvilluara nga AKSHI, përfundojnë sistematikisht në favor të të njëjtit rreth kompanish:

– Mirëmbajtja e sistemit FER për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (REF-54454-07-11-2025)
– Ndërtimi i Sistemit Informatik për menaxhimin e proceseve të brendshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe institucionet e vartësisë (REF-49169-05-27-2025)
– Përmirësimi dhe integrimi i sistemeve të menaxhimit të informacionit për ndihmën ekonomike dhe shërbimin social (REF-30573-11-21-2024)
– Sistemi qendror online i biletimit për muzetë dhe sitet e trashëgimisë kulturore (REF-31427-12-02-2024)
– Përmirësimi i platformës konsullore online (REF-49032-05-26-2025)
– Mirëmbajtja e regjistrave profesionalë mjekësorë (REF-69187-11-17-2025)
– Përmirësimi i sistemit të pagesave të e-dëmshpërblimeve (REF-54458-07-11-2025)
– Mirëmbajtja e sistemit AFMIS për Ministrinë e Financave (REF-54889-07-15-2025)
– Mirëmbajtja e sistemit të thesarit dhe blerja e licencave Oracle për Ministrinë e Financave (REF-65994-10-21-2025)
– Krijimi i regjistrit elektronik të titujve akademikë dhe gradave shkencore (REF-57932-08-12-2025)

Një element i përbashkët që bie në sy në të gjitha këto procedura është vendosja e një kriteri përjashtues shumë specifik: operatorët ekonomikë duhet të disponojnë certifikata sigurie CSP dhe OSI. Konkretisht, kërkohet që punonjësit e kompanisë fituese të jenë të pajisur me certifikatë sigurie CSP, të lëshuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, si dhe të kenë individë të autorizuar me certifikatë OSI për menaxhimin dhe brifimin e sigurisë.

Por lind një pyetje thelbësore: pse këto kritere aplikohen në mënyrë kaq të gjerë, edhe në tenderë që nuk kanë asnjë lidhje reale me informacion të klasifikuar?

Një shembull domethënës është procedura “Mirëmbajtje e Sistemit Ruda” (REF-54898-07-15-2025), që lidhet me regjistrin elektronik të gjedhëve. Edhe në këtë rast, AKSHI ka vendosur detyrimin për staf me certifikata sigurie CSP dhe OSI. Çfarë rreziku sigurie kombëtare përbën një sistem që menaxhon të dhëna mbi bagëtinë, për të justifikuar certifikime të tilla?

Sipas burimeve dhe analizës së procedurave, përgjigjja është e qartë: këto kritere shërbejnë si filtër përjashtues, duke kufizuar konkurrencën dhe duke hapur rrugën vetëm për kompani të caktuara, mes tyre edhe ato të lidhura me Ermal Beqirin.

Në këtë kontekst, ndërsa SPAK po heton aktivitetin e një grupi kriminal që dyshohet se ka përfituar miliona euro brenda AKSHI-t, mbetet e domosdoshme që hetimi të shtrihet edhe mbi këto mekanizma të tjera, të cilat potencialisht implikojnë jo vetëm kompani private, por edhe zyrtarë të lartë të administratës shtetërore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.