Një tjetër dëshmi tronditëse ka dalë në dritë nga hetimet e SPAK për skandalin e AKSHI-t, ku përveç manipulimit të tenderave, dyshohet edhe për kërcënime, shantazh dhe pengmarrje biznesmenësh.
Migena Schroeder konsiderohet një nga dëshmitaret kyçe në këtë çështje, duke hedhur dritë mbi veprimtarinë e një grupi kriminal që sipas hetimeve drejtohej nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të shpallur në kërkim.
Sipas raportimeve, Schroeder ka dëshmuar para prokurorëve për një nga episodet më të rënda që lidhet me procedurën e prokurimit “SmartLab2”.
Në këtë rast, kur nuk po arrihej dakordësi me palët e përfshira dhe kompania fituese, ajo është kontaktuar nga ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila i ka kërkuar të takojë Ermal Beqirin për “sqarime”.
Takimi, sipas dëshmisë, është zhvilluar në ambientet e hotelit Rogner, ku Schroeder është paralajmëruar se kishte hyrë në një “pishinë peshkaqenësh”, një mesazh që ajo e ka interpretuar si kërcënim të drejtpërdrejtë.
Presioni ndaj saj, sipas deklarimeve, ka vijuar edhe më tej përmes personave të tjerë, të cilët i kanë kërkuar të bëjë kujdes me AKSHI-n, duke e përshkruar situatën si të rrezikshme dhe të kontrolluar nga persona “kokëshkretë”.
Në këto kushte, Schroeder deklaron se është detyruar nën trysni psikologjike të kryejë një transaksion fiktiv prej 2.530.000 eurosh.
Shuma, sipas saj, është kaluar nga kompania e saj për tek “EA Solution sh.p.k.”, në pronësi të Ergys Agasit, pa asnjë bazë ligjore apo marrëdhënie kontraktuale.
Ky veprim, sipas hetimeve, ngre dyshime të forta për një skemë gjobëdhënieje të realizuar përmes presionit dhe shantazhit.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm, që ka caktuar masat e sigurisë për të dyshuarit, përfshirë edhe Mirlinda Karçanajn, theksohet se provat tregojnë përdorimin e dhunës psikologjike për të detyruar operatorët ekonomikë të veprojnë sipas interesave të grupit.
Hetimet zbulojnë se kjo nuk është një rast i izoluar. Përveç biznesmenit Gerond Meçe, i cili dyshohet se është rrëmbyer dhe detyruar të tërhiqet nga tenderat, edhe biznesmenë të tjerë janë përballur me shantazh dhe presion.
Sipas dosjes, grupi kriminal nuk është mjaftuar vetëm me manipulimin e tenderave publikë, por ka përdorur edhe individë me precedentë kriminalë për të ushtruar presion ndaj bizneseve, deri në pengmarrje dhe kontroll të aktivitetit të tyre.
Në këtë mënyrë, sipas hetimeve, struktura që vepronte rreth AKSHI-t funksiononte si një mekanizëm i organizuar që jo vetëm përfitonte miliona euro nga fondet publike, por ushtronte ndikim dhe kontroll edhe mbi sektorin privat.







