E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aksioni kundër mashtrimeve me kriptomonedha, SPAK jep detaje
Lajme

Aksioni kundër mashtrimeve me kriptomonedha, SPAK jep detaje

Operacion i përbashkët Shqipëri–Francë

1.1 mln euro dëm ndaj 13 viktimave!

Një operacion i koordinuar mes Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe autoriteteve franceze ka çmontuar një rrjet të mirëorganizuar mashtrimi kompjuterik, i cili kishte në shënjestër qytetarë francezë përmes investimeve të rreme në kriptomonedha. Në kuadër të këtij aksioni është ndaluar një shtetas shqiptar, i dyshuar si figurë qendrore në këtë aktivitet kriminal.

Aksioni u zhvillua më 22 prill 2026, në bashkëpunim me strukturat hetimore franceze të specializuara për krimet financiare dhe dixhitale. Kontrolli u përqendrua në një qendër thirrjesh dhe në katër ambiente banimi në Tiranë, të dyshuara si baza operacionale të skemës mashtruese.

Hetimi ka nisur pas shkëmbimit të informacioneve ndërkombëtare përmes mekanizmave të bashkëpunimit ligjor, ku u evidentua një platformë online e quajtur “UNIVERSAL TRADE”, e përdorur për të joshur investitorë të huaj. Sipas të dhënave, viktimat kontaktoheshin nga persona që prezantoheshin si ekspertë financiarë me identitete të rreme franceze dhe bindeshin të investonin në tregje të supozuara fitimprurëse të kriptomonedhave.

Pasojat financiare rezultojnë të konsiderueshme. Katër shtetas francezë kanë humbur rreth 845 mijë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm për 13 viktima të identifikuara arrin në afro 1.1 milionë euro, për një periudhë disa mujore gjatë vitit 2023.

Sipas hetimeve, fondet e përfituara nga mashtrimi janë kanalizuar përmes portofoleve të kriptovalutave të hapura në emër të disa shtetasve shqiptarë. Autoritetet kanë identifikuar disa persona të përfshirë, ndërsa njëri prej tyre, me inicialet G. P., dyshohet se ka pasur rol kyç në menaxhimin e këtyre portofoleve dhe në transferimin e shumave të përfituara në mënyrë të paligjshme. Ai është ndaluar me urdhër të prokurorit të posaçëm dhe arrestimi është kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar prova të shumta materiale, përfshirë pajisje elektronike, telefona celularë, njësi memorizuese dhe katër portofole fizike për ruajtjen e kriptovalutave (“cold wallet”). Po ashtu, janë bllokuar dokumente të ndryshme, vula subjektesh ekonomike, dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, si dhe një automjet luksoz. Në të njëjtën kohë, autoritetet kanë sekuestruar edhe shuma parash në valuta të ndryshme, me një vlerë totale rreth 5 milionë lekë.

Operacioni është mbështetur nga strukturat e rendit dhe agjencitë përgjegjëse për mbikëqyrjen policore, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën dhe për të identifikuar të gjithë personat dhe subjektet e përfshira në këtë aktivitet kriminal me shtrirje ndërkombëtare.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.