AKU bllokon ton produkte të pasigurta ushqimore të firmës “Merja”
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërmarrë një aksion kontrolli pas një sinjalizimi të ardhur nga qytetarët, duke evidentuar shkelje të rënda në një subjekt tregtar në zonën e Shkozës.
Gjatë verifikimeve në ambientet e magazinimit të biznesit “Merja”, inspektorët kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore të përpunuara në kushte të papërshtatshme. Konkretisht, bëhet fjalë për 3,984 kilogramë bimë të thata të përziera, të ruajtura në thasë plastikë, pa asnjë informacion identifikues.
Produktet rezultuan pa etiketa përkatëse, pa të dhëna mbi origjinën, përbërjen apo afatin e përdorimit, çka përbën shkelje serioze të standardeve të sigurisë ushqimore dhe rrezik potencial për konsumatorët.
Në vijim të konstatimeve, AKU vendosi bllokimin e menjëhershëm të gjithë sasisë së gjetur në magazinë, duke ndaluar daljen e saj në treg.
Ndaj subjektit u morën edhe masa administrative:
- Gjobë prej 200,000 lekësh për mungesë të plotë të gjurmueshmërisë së produkteve
- Gjobë prej 100,000 lekësh për moszbatim të sistemit të vetkontrollit dhe mungesë dokumentacioni monitorimi gjatë procesit të përpunimit
Autoriteti thekson se kontrollet në terren do të vijojnë me intensitet, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
Njëkohësisht, AKU u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të dyshimtë apo shkelje, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e standardeve të sigurisë në treg.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



