E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Akuzat dhe përgjimet për tregti armësh, kompania distancohet nga Ron Yeffet
Lajme

Akuzat dhe përgjimet për tregti armësh, kompania distancohet nga Ron Yeffet

“Nuk është përfaqësues, punonjës, ortak apo administrator i DEL-CNG”

Kompania mohon çdo lidhje biznesi me Yeffet dhe kërkon ndalimin e publikimit të përgjimeve.

Shoqëria DEL-CNG SHPK ka reaguar pas publikimit të audiomaterialeve të bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku pretendohet se dëgjohen biseda që lidhen me Ron Yeffet dhe diskutime për tregti armësh përmes Shqipërisë, si edhe pretendime për akses pranë strukturave qeveritare.

Përmes avokatit të saj, Altin Kaziaj, DEL-CNG SHPK ka kundërshtuar mënyrën se si është siguruar audiomateriali, duke pretenduar se regjistrimi është kryer pa autorizim në ambientet private të kompanisë.

Në deklaratën zyrtare, shoqëria argumenton se regjistrimi dhe publikimi i bisedave përbëjnë, sipas saj, ndërhyrje të paligjshme në privatësi dhe në informacionet që lidhen me aktivitetin e saj.

“Audiomateriali është marrë përmes një përgjimi të paautorizuar në ambientet private të Shoqërisë, duke përbërë ndërhyrje të padrejtë në jetën private apo sekretet tregtare. DEL-CNG SHPK, administratori, punonjësit e saj dhe bashkëpunëtorët e shoqërisë, NUK kanë pasur dijeni dhe NUK kanë dhënë pëlqim për incizimin apo transmetimin, duke shkelur hapur Kushtetutën, Kodin Penal dhe Ligjin nr. 124/2024 ‘Për mbrojtjen e të dhënave personale’.”

DEL-CNG: Ron Yeffet nuk përfaqëson kompaninë

Një nga pikat kryesore të reagimit lidhet me pozicionin e Ron Yeffet. Kompania deklaron se ai nuk ka asnjë funksion zyrtar apo marrëdhënie përfaqësimi me DEL-CNG SHPK dhe se nuk është i autorizuar të marrë angazhime në emër të saj.

“Z. Ron Yeffet NUK është përfaqësues, punonjës, ortak apo administrator i DEL-CNG SHPK dhe nuk ka asnjë autorizim të veprojë apo marrë angazhime në emrin e shoqërisë. Shoqëria nuk ka marrëdhënie biznesi me të dhe prania e tij në takim nuk përbën për shoqërinë miratim të qëndrimeve të tij.”

Sipas kompanisë, fakti që Yeffet ka qenë i pranishëm në një takim nuk mund të interpretohet si dakordësi apo miratim nga ana e DEL-CNG për deklaratat dhe propozimet e tij.

Kompania mohon përfshirjen në skema të paligjshme

DEL-CNG SHPK ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimet apo aludimet që e lidhin kompaninë me skema kriminale, përfitime të paligjshme apo marrje të paligjshme asetesh.

Në reagimin e saj, shoqëria thekson se çdo propozim i diskutuar në takime, sipas saj, është trajtuar me kushtin që procedurat të ndiqeshin vetëm në përputhje me ligjin.

“Hedhim poshtë çdo aludim spekulativ për skema kriminale, përfitimi të paligjshme, apo marrje të paligjshme asetesh. Sqarojmë se përfaqësuesit tanë kanë këmbëngulur qartë se çdo propozim-procedurë, duhej të ndiqej ekskluzivisht në rrugë të ligjshme. Dëgjimi i një propozimi apo bërja e pyetjeve në një takim privat nuk përbën miratim apo përfshirje në veprimtari të paligjshme.”

Kompania shton se ndaj saj, sipas deklaratës, nuk ka aktualisht ndonjë masë urgjente të marrë nga autoritetet shqiptare.

“Theksojmë se nuk ekziston asnjë masë me karakter urgjënt nga ana e autoriteteve ligjzbatuese shqiptare si sekuestrim, marrje asetesh apo vendim gjyqësor ndaj nesh.”

Kërkohet ndalimi i publikimit të zërave dhe imazheve të stafit

Në pjesën tjetër të reagimit, DEL-CNG ngre shqetësime edhe për publikimin e identitetit dhe materialeve që lidhen me punonjësit apo bashkëpunëtorët e saj.

Shoqëria pretendon se publikimi i zërave, emrave dhe imazheve të tyre pa pëlqim mund të cenojë privatësinë, sigurinë dhe dinjitetin e personave të përfshirë.

“Publikimi i zërave, emrave dhe imazheve të punonjësve-bashkëpunëtorëve tanë pa pëlqim, cenon, jetën private, sigurinë dhe dinjitetin e tyre. Liria e medias respektohet, por ajo nuk autorizon përdorimin e përgjimeve të paligjshme apo nxjerrjen e bisedave jashtë kontekstit, duke sjellë një dëm në shumë drejtime.”

Në përfundim, kompania kërkon ndërprerjen e publikimit të materialeve dhe anonimizimin e personave që lidhen me të.

“Kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të publikimit, anonimizimin e plotë të punonjësve dhe bashkëpunëtorëve tanë dhe botimin e këtij qëndrimi të qartë në interes të së vërtetës.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.