Akuzohet se rrahu gazetarin, arrestohet biznesmeni shkodran
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga biznesmenin Prekë Gjoni, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gazetarit Ervin Dushi për shkak të detyrës së këtij të fundit.
Sipas informacioneve zyrtare, ndalimi është kryer nga specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër, ndërsa ndaj 51-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale “goditja për shkak të detyrës”.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 18 maj 2026, rreth orës 20:00, në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër, ku, sipas hetimeve paraprake, Gjoni ka goditur me grushte gazetarin 46-vjeçar.
Megjithëse në reagimet e tij publike biznesmeni ka mohuar përfshirjen në dhunë, të dhënat e mbledhura nga autoritetet kanë çuar në ndalimin e tij, duke ngritur dyshime të forta se sulmi ka ndodhur pikërisht për shkak të profesionit të gazetarit.
Dosja i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila pritet të vijojë me veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Dhunoi fizikisht një 46-vjeçar (gazetar), për shkak të detyrës, kapet dhe vihet në pranga 51-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin P. Gj., 51 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.
Ky shtetas dyshohet se më datë 18.05.2026, rreth orës 20:00, në lagjen “Skënderbeg”, ka goditur me grushte shtetasin E. D., 46 vjeç, gazetar, për shkak të detyrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



