Alarm për bombë në institucionet shtetërore, evakuohen Gjykata dhe Prokuroria e Fierit
Një valë kërcënimesh me përmbajtje terroriste ka vënë në alarm disa institucione shtetërore në Shqipëri, pas mbërritjes së një emaili që paralajmëron për sulme të mundshme dhe pretendon se në ambientet e godinave është vendosur lëndë plasëse.
Mes institucioneve që kanë marrë mesazhin kërcënues përfshihen Kryeministria, ministri të ndryshme, institucione të drejtësisë dhe Banka e Shqipërisë. Në email, dërguesi pretendon se brenda ndërtesave ndodhen mjete shpërthyese me nitrat amoni, të njohur edhe si ANFO, ndërsa paralajmëron për një seri sulmesh të planifikuara në territorin shqiptar.
“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit”, thuhet në mesazhin e mbërritur në institucionet shtetërore.
Përmbajtja e emailit përfshin gjithashtu kërcënime me referenca fetare dhe politike, duke paralajmëruar për veprime të tjera në të ardhmen.
“Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet më tej në mesazh.
Evakuohen Gjykata dhe Prokuroria e Fierit
Pas marrjes së kërcënimit, është ndërmarrë evakuimi i Gjykatës dhe Prokurorisë së Fierit. Administrata dhe personat që ndodheshin në ambientet e këtyre institucioneve janë larguar nga godinat, ndërsa autoritetet po ndjekin procedurat për verifikimin e situatës.
Në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë, të cilat pritet të kryejnë kontrollet përkatëse për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një kërcënim real apo për një alarm të rremë.
Deri në këto momente, nuk ka një konfirmim zyrtar se në institucionet e përmendura në email janë gjetur mjete shpërthyese. Po ashtu, nuk ka të dhëna të konfirmuara për evakuimin e Kryeministrisë apo të institucioneve të tjera shtetërore që kanë marrë mesazhin.
Verifikimet pritet të sqarojnë burimin e kërcënimit, vërtetësinë e pretendimeve dhe nëse ekziston ndonjë rrezik konkret për sigurinë e institucioneve dhe personave që punojnë apo frekuentojnë ambientet e tyre.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



