Alarmi nga mjekët: Fajtori ‘i padukshëm’ po dëmton fëmijët në Tiranë
Fëmijët që jetojnë në Tiranë po përballen çdo ditë me një mjedis të mbushur me zhurma, nga trafiku i rënduar dhe boritë e makinave, deri te fishekzjarrët që shpërthejnë pa orar. Këto nivele të larta të ndotjes akustike po i ekspozojnë të vegjlit ndaj rreziqeve serioze shëndetësore.
Mjeku ORL, dr. Tedi Minarolli, thekson se kontaktimi i vazhdueshëm me zhurmën mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e fëmijëve. Sipas tij, dëmtimet në dëgjim mund të çojnë në vonesa në të folur, probleme emocionale, madje edhe sjellje më agresive.
Ai shpjegon se dëgjimi dhe gjuha janë shumë të ndërlidhura: “Fëmijët janë më të brishtë, sepse organet e dëgjimit te ta janë shumë më të ndjeshme. Çdo problem që shfaqet në dëgjim reflektohet menjëherë te zhvillimi i gjuhës,” nënvizon mjeku për “A2 CNN”.
Përveç ndikimit te të foluri, zhurma prek edhe cilësinë e jetës së një fëmije. Dr. Minarolli thotë se ekspozimi i zgjatur i bën fëmijët më të shpërqendruar, ndërsa përdorimi i tepruar i kufjeve apo pajisjeve elektronike mund t’i bëjë më impulsivë dhe të irritueshëm.
Ai shton se edhe sistemi nervor mund të dëmtohet: “Një borie e fortë mund të shkaktojë ulje të menjëhershme të dëgjimit. Në raste të tilla, jo vetëm që dëgjimi dëmtohet, por mund të shfaqen edhe probleme të tjera, si zhurma e vazhdueshme në vesh.”
Sipas mjekut, këto efekte nuk duhen nënvlerësuar, pasi te fëmijët pasojat janë më të thella dhe afatgjata.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



