“Albanian Files”, aktivistja kallëzon penalisht Edi Ramën në SPAK
Një kallëzim penal është depozituar në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) ndaj kryeministrit Edi Rama, me pretendimin se janë shkelur dispozita ligjore që lidhen me planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Kallëzimi është bërë pjesë e një nisme qytetare të ndërmarrë nga arkitektja dhe aktivistja Entela Koja, e cila deklaroi se në SPAK është dorëzuar edhe një kopje e librit rozë “Albania Files”, e shoqëruar me firmat e qytetarëve.
Sipas Kojës, qëllimi i kallëzimit nuk është vetëm evidentimi i shkeljeve të dyshuara, por edhe kërkesa për përgjegjësi penale lidhur me pasojat që, sipas saj, kanë ardhur nga mënyra e hartimit dhe zbatimit të planeve të zhvillimit.
Ajo pretendon se problematikat nuk kufizohen vetëm te legjislacioni për planifikimin e territorit, por prekin edhe dispozita të tjera ligjore. Sipas saj, këto rregulla janë anashkaluar përmes vendimeve të marra nga KKTU dhe institucione të tjera përgjegjëse për zhvillimin e territorit.
“Ky kallëzim kërkon jo vetëm të evidentojë shkeljet, por edhe të vendosë para përgjegjësisë ata që kanë shkaktuar dëme përmes planeve të zhvillimit”, deklaroi Koja.
Arkitektja ngriti gjithashtu pretendimin se përfshirja e kryeministrit në proceset e miratimit të lejeve të ndërtimit përbën një situatë të pazakontë, duke argumentuar se në raste të caktuara janë anashkaluar planet rregulluese dhe parashikimet ligjore.
Në një intervistë televizive, Koja tha se nisma synon të vërë në fokus veprimtarinë dhe përgjegjësinë e kryeministrit, dhe jo thjesht një akt të veçantë administrativ. Ajo shtoi se autorët e kallëzimit janë të vetëdijshëm se një hetim i tillë mund të kërkojë kohë.
“Ne jemi të përgatitura që SPAK-ut t’i duhet kohë për të shqyrtuar një çështje me kaq shumë elementë”, u shpreh ajo.
Në kallëzim, sipas Kojës, janë përfshirë disa raste konkrete të trajtuara edhe në “Albania Files”. Ajo përmendi Rrjollin, Zvërnecin dhe Divjakën si tre prej shembujve që, sipas saj, kërkojnë verifikim nga organet e drejtësisë.
Për zonën e Rrjollit, Koja pretendoi se punimet kanë nisur përpara se të ishte miratuar leja përkatëse e ndërtimit. Sipas saj, nëse kjo situatë konfirmohet nga hetimi, përgjegjësia duhet të shtrihet te të gjithë personat që kanë lejuar vijimin e punimeve, duke përfshirë edhe kryeministrin.
Ndërkohë, për Divjakën, ajo ngriti shqetësime për ndërhyrjet në zona të mbrojtura dhe mënyrën se si po konceptohen projektet e zhvillimit. Koja kritikoi gjithashtu përdorimin e projekteve të prezantuara nga arkitektë të huaj si pjesë e promovimit të këtyre ndërhyrjeve.
Tashmë pritet që SPAK të vlerësojë përmbajtjen e kallëzimit dhe materialet e depozituara, për të përcaktuar nëse ekzistojnë elementë që justifikojnë nisjen e verifikimeve apo të një hetimi të mëtejshëm. Pretendimet e ngritura në kallëzim mbeten për t’u vlerësuar nga organet kompetente të drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



