AlbaScan, kompania e skandaleve që fiton tenderë nga drejtësia

Publik.al | Investigim

Një kompani që duhet të ishte nën hetim për dështime flagrante në sistemin e sigurisë dhe abuzime me fonde publike, po shpërblehet nga vetë institucionet që duhet ta ndjekin penalisht. Bëhet fjalë për kompaninë AlbaScan, e cila jo vetëm që nuk është hetuar për rastin tronditës të vrasjes në Burgun e Peqinit apo për tenderin famëkeq të laboratorëve në shkolla, por është shpërblyer me miliona euro tenderë nga SPAK, Gjykata e Posaçme dhe Garda e Republikës.

Tenderi i SPAK-ut: Oferta më e shtrenjtë, por fituese

Në vitin 2024, SPAK i ka dhënë Albascan një kontratë me vlerë rreth 500 mijë euro për blerjen e një skaneri automjetesh dhe bollardësh automatikë. Ironikisht, kompania konkurrente ALComm Solutions kishte paraqitur një ofertë 110 mijë euro më të lirë, por u skualifikua me pretendimin se nuk përmbushte “kapacitetin financiar”. Me këtë justifikim, SPAK i dha tenderin më të shtrenjtë pikërisht kompanisë që duhej të ishte nën hetim nga ky institucion.

Gjykata e Posaçme i jep tender pa garë

Pak javë më parë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit shpalli fituese Albascan për një tender me objekt “skaner çantash dhe urë metal detektor”, me vlerë 12 milionë lekë. Në garë mori pjesë vetëm një ofertues – AlbaScan – dhe kjo mjaftoi për t’i dhënë kontratën. A thua nuk kishte kompani të tjera në vend që ofrojnë të njëjtin shërbim me standarde më të larta dhe çmime më të ulëta?

Njoftimi i fituesit të tenderit për skaner çantash dhë urë metal detektori

“Me anë të këtij formulari ju informojmë se, në këtë procedurë/lot kanë marrë pjesë, AlbaScan me vlerë 12.050.000 lekë” thuhet në dokumente. Pra, ka pasur vetëm një ofertues që edhe u shpall fitues.

Sipas dokumenteve, kompania AlbaScan është në pronësi të vëllezërve Elton dhe Elision Jorgjis. 8 muaj më parë, Prokuroria e Posaçme ka shpallur kompaninë Albascan si fituese në tenderin rreth 500 mijë euro për blerjen e skanerit për automjete dhe bollard automatik. Sipas dokumentave të bëra publike Agjencinë e Prokurimeve, në këtë tender janë paraqitur dy oferta. E para ishte ajo e kompanisë ALComm Solutions, e cila e ofroi skanerin me çmimin 340 mijë euro. Ndërsa Albasan ofroi çmimin 450 mijë euro.

Garda e Republikës rreshtohet me pjesën tjetër

Në të njëjtën linjë me institucionet e drejtësisë, Garda e Republikës i ka dhënë po kësaj kompanie një tjetër tender me vlerë rreth 400 mijë euro. Lista e institucioneve që i besojnë AlbaScan-it, pavarësisht dosjeve dhe dështimeve të saj, po zgjerohet në mënyrë alarmante.

Afera e Peqinit: Një vrasje brenda burgut dhe kamera jashtë funksionit

Në burgun e Peqinit, një i burgosur vrau një tjetër brenda ambienteve të sigurisë së lartë. Tenderin për mirëmbajtjen e sistemit të sigurisë e kishte fituar AlbaScan. Hetimet zbuluan se skaneri i armëve nuk funksiononte dhe disa kamera sigurie ishin të fikura. Përgjegjësia? Askush nuk u mor në hetim. Kompania? Sot merr tenderë nga SPAK dhe Gjykata që gjykon dosjet e SPAK-ut.

Skandali i laboratorëve të AKSHI-t: Kompjuterë me çmim katërfish

Një tjetër aferë e rëndë lidhet me tenderin 17 milionë euro për laboratorët në shkolla, të fituar nga AlbaScan në bashkëpunim me kompani të tjera. Kompjuterët dhe pajisjet iu faturuan shkollave publike me çmime deri në 4 herë më të larta se vlera reale e tregut. Pati denoncime publike, por jo hetim.

Nga “thërrime” në milionat e buxhetit

Deri në vitin 2019, AlbaScan merrte tenderë të vegjël. Pas kësaj, kompania në pronësi të vëllezërve Elton dhe Elision Jorgji, ka arritur të grumbullojë mbi 35 milionë euro nga fondet publike. Një ngritje e dyshimtë që përkon me një periudhë të artë për një numër të vogël firmash që “gëzojnë besimin” e institucioneve të drejtësisë.

🟥 Drejtësia në konflikt interesi?

Në një vend normal, një kompani që dështon të garantojë sigurinë në një burg dhe që akuzohet për abuzim me tenderë publikë, do të përballej me drejtësinë. Në Shqipëri, drejtësia është ajo që i jep kontratat. AlbaScan është vetëm një simptomë e një sistemi ku korrupsioni nuk luftohet, por ushqehet.

Kush mban përgjegjësi për paratë e buxhetit të shqiptarëve? Pse SPAK nuk heton kompaninë që vetë e paguan? Pse Gjykata e Posaçme mbyll sytë për tenderët pa garë? Pse institucionet e sigurisë shpërblejnë firmat që dështojnë me sigurinë?

Publikuar nga Publik Media