Aleatët ‘gozhdojnë’ Berishën: Pas zgjedhjeve na mbyllini telefonat!
“Na bëtë tabelë qitje. Na trajtoni si kosto, jo si vota”
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, dhe kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, kanë kritikuar ashpër lidershipin e Partisë Demokratike, duke theksuar se aleatët shpesh trajtohen si “pa peshë” dhe “kosto”, edhe pse kontribuojnë në mënyrë vendimtare në zgjedhje.
Gjatë mbledhjes me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, Ndoka tha se militantët e PD-së nuk e vlerësojnë mjaftueshëm rolin e aleatëve dhe se ata shpesh “bëhen tabelë qitjeje” për votat që japin.
“Na bëni tabelë qitje, aleatët janë vota për ju, vlerë e pluralizimit dhe marrim shumë më pak sa i takon peshës tonë elektorale”, tha Ndoka, duke kërkuar që në çdo takim të tregohet e vërteta për kontributin e tyre.
Kritika u theksua edhe nga Adriatik Alimadhi, i cili kujtoi mungesën e respektit ndaj partive të vogla gjatë bashkëpunimeve opozitare: “Kam pasur një bashkëpunim 20-vjeçar, por nuk kam parë respekt të tillë. Pa një bashkëpunim real me strukturat lokale, nuk mund të ketë sukses”.
Alimadhi shtoi se partitë e mëdha përfitojnë financime dhe mbështetje nga shteti, ndërsa partitë e vogla, megjithëse kontribuojnë me vota dhe përfaqësim, shpesh mbeten të margjinalizuara. Ai përmendi edhe votat e diasporës dhe mungesën e infrastrukturës për të mbështetur procesin e tyre.
Të dy liderët e aleatëve nënvizuan se bashkëpunimi opozitar duhet të jetë më transparent dhe meritokratik, duke respektuar kontributin e çdo partie dhe duke mos e ngarkuar atë vetëm me sfidat e PD-së.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



